PS fiton 53 bashki, ndërsa koalicioni opozitar shtatë

Mbi 3,6 milionë qytetarë kishin të drejtë vote në zgjedhjet lokale që u mbajtën më 14 maj për drejtuesit e rinj të 61 bashkive, ku garonin 144 kandidatë.

Për herë të parë në Kamzë, Vorë dhe Elbasan u zhvillua votimi dhe numërimi elektronik.

Partia Socialiste arriti të fitojë 53 bashki për katër vitet në vijim.

Ndërsa koalicioni “Bashkë Fitojmë”, i përbërë nga kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, kreu i Komisionit të Rithemelimit të PD-së, Sali Berisha, partia “Bashkimi për të Drejtat e Njeriut” dhe Demo-kristianët fituan shtatë bashki. Mes këtyre bashkive, koalicioni opozitar fitoi edhe Himarën, ku kandidati i tij, Fredi Beleri, u arrestua nën akuzën e shitblerjes së votave.

PS fitoi për herë të parë edhe drejtimin e bashkisë së Shkodrës, e konsideruar historikisht si bastion i PD-së.

Partia Socialiste do të drejtojë këtë bashki me Benet Becin.

Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Beci mori 34 470 vota dhe kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Bardh Spahia, drejtues aktual i bashkisë, mori 22 769 vota.

“Minoriteti etnik grek për të Ardhmen” (MEGA), fitoi bashkinë e Finiqit.

Partia Socialiste ka arritur që të dalë forcë e parë në edhe në pjesën më të madhe të këshillave bashkiakë.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi tha se në 5 213 qendra votimi votuan 1 595 360 zgjedhës.

Sipas tij, në total Partia Socialiste mori 786 566 vota, Partia Demokratike 36 852 vota dhe koalicioni “Bashkë Fitojmë” 501 402 vota./ (17 maj)

Pas 32 viteve Shkodra do të qeveriset nga socialistët

Kryeministri socialist, Edi Rama deklaroi se fitorja e PS-së në zgjedhjet lokale ishte shumë e madhe.

Në konferencën e parë për shtyp, pas fitores së PS-së në shumicën e bashkive në zgjedhjet vendore të 14 majit, Rama u shpreh se “ndihem shumë i vogël përballë hartës së mbushur me ngjyrat e fitores së kandidatëve nga Tropoja në Konispol”.

Ai theksoi se do të organizonte një tur falënderimesh dhe se këtë do ta niste nga Shkodra, 95 kilometra në veriperëndim të Tiranës.

“Këto ishin zgjedhje lokale me një dimension politik të imponuar nga hijet e së kaluarës që tentuan ta tërhiqnin vendin mbrapa”, tha Rama.

Për sa i përket bashkëpunimit me kandidatët fitues të koalicionit opozitar, Rama tha se “nëse do të ketë kryetar bashkish që do të jenë proaktiv, do të vënë interesat e komunitetit mbi axhendat politike dhe do të duan të bashkëpunojnë me qeverinë si partnerë në shërbim të komunitetit, ne nuk do të kemi asnjë problem”./ (15 maj)

Raporti paraprak i OSBE-ODIHR për zgjedhjet

Shefja e misionit të vëzhguesve të OSBE-ODIHR, Audrey Glover, publikoi të hënën raportin paraprak për zgjedhjet e 14 majit duke vënë në dukje se fushata elektorale ishte kryesisht paqësore “megjithëse pati edhe sulme të forta verbale nga liderët e partive kryesore politike, të cilat shpesh ishin të rënda”.

Në konferencën për median Glover theksoi se zgjedhjet vendore në përgjithësi u administruan mjaft mirë, ishin konkurruese dhe në to morën pjesë forcat kryesore politike.

Sipas saj, procesi u karakterizua nga polarizimi i vazhdueshëm midis partive kryesore politike dhe një ndarje e thellë brenda opozitës.

“Kandidatët bënë fushatë lirisht, por rastet e keqpërdorimit të burimeve publike, pretendimet për presion te zgjedhësit si dhe pretendimet për blerje votash ishin shqetësuese”, u shpreh Glover.

Këto janë zgjedhjet e 16-ta që ODIHR vëzhgon, me 14 ekspertë nga 12 shtete ndërsa iu bashkuan edhe 24 vëzhgues afatgjatë.

Ish-kryeministri Sali Berisha e cilësoi “një farsë elektorale” procesin zgjedhor për pushtetin lokal.

“Industria e tmerrshme e blerjes së votës, dhunuan si kurrë më parë në historinë e këtij vendi votën e shqiptarëve”, deklaroi ai.

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili reagoi përmes një statusi në Facebook, deklaroi se zgjedhjet ishin asgjësuar sipas tij “që përpara se të fillonin”./ (18 maj)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.