Krimi kibernetik në fokus të takimit të policive evropiane
Tirana mirëpriti në datat 18-21 prill Konferencën e 43-të të Policive të Kryeqyteteve Evropiane, që mbledh së bashku shefat e policive të kryeqyteteve të të gjithë Evropës.
Gjatë konferencës u ofruan mundësi për diskutime dhe u shkëmbyen ide në nivele strategjike, diskutime mbi çështjet aktuale dhe kontributet për kohezionin, mirëkuptimin e ndërsjelltë dhe bashkëpunimin e organizatave të policive evropiane.
U diskutua për bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe njësitë JIT, mbi sfidat e përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar dhe mbi rrugët për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet policive në këtë drejtim.
Ndër të tjera, nga përfaqësuesit e policive të kryeqyteteve evropiane diskutuan për krimin kibernetik, mbi sfidat me të cilat përballet policia për hetimin dhe zbulimin e këtyre krimeve, si edhe ato me të cilat duhet të përballen agjencitë ligjzbatuese, për zbulimin e krimeve të kësaj natyre. Gjithashtu u diskutua mbi garantimin e rendit dhe sigurisë, gjatë eventeve sportive, manifestimeve publike dhe atyre kulturore, strategjitë për përballimin e sfidave bashkëkohore ndaj rendit dhe sigurisë publike në Evropë.
Në ditën e fundit të konferencës u prezantua dhe u nënshkrua Deklarata e Përbashkët nga përfaqësuesit e Policive të Kryeqyteteve Evropiane.
Kjo konferencë krijoi mundësi të reja për një bashkëpunim sa më efikas midis Policive të Kryeqyteteve Europiane, gjithashtu ishte një hap i rëndësishëm për Policinë e Shtetit, pasi Shqipëria jep një kontribut domethënës për sigurinë e Europës duke qenë shpesh pjesë e operacioneve të përbashkëta policore./ (21 prill)
Shqipëria kontribut për sigurinë e Evropës
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi vlerësoi angazhimin në takim të përfaqësuesve nga 24 polici të kryeqyteteve të vendeve evropiane.
Ai theksoi rëndësinë për të rritur bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar e kësisoj për të forcuar sigurinë në të gjithë kontinentin auropian.
Ministri nënvizoi se Shqipëria, edhe pse ende jo një vend anëtar i BE-së, ka një kontribut real dhe të matshëm në sigurinë e unionit si pjesëmarrëse aktive në operacione të përbashkëta policore dhe adresimin e sfidave të tjera që lidhen me sundimin e ligjit, rendit e sigurisë publike.
Ai solli si shembull faktin që vendi ynë ishte i pari në Ballkanin Perëndimor që nënshkroi marrëveshjen me Agjencinë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare (FRONTEX), e cila vijon e ka rezultuar shumë e suksesshme në menaxhimin e kufirit dhe flukseve migratore që i drejtohen kufijve të jashtëm të Bashkimit Europian.
“Sot jemi pjesëmarrës aktivë dhe me rol drejtues në Skuadra të Përbashkëta Hetimore dhe në operacione ndërkombëtare për goditjen e grupeve kriminale. Dhe kjo nuk është kurrsesi një fazë e rastësishme, por dëshmi e besimit që është krijuar nga partnerët evropianë te Shqipëria, gjë e cila na vesh edhe më shumë me përgjegjësi”, tha Çuçi.
Gjithashtu, Çuçi foli edhe për krimin kibernetik që po shndërrohet në një formë të re tejet të sofistikuar që po sfidon çdo ditë agjencitë ligjzbatuese dhe cenon sigurinë e qytetarëve.
Ai theksoi se ka nisur një etapë e re dhe e vështirë investimesh të mbrojtjes kibernetike.
“Ky është një proces i gjatë dhe ku natyrisht ekspertiza e lartë evropianë nga vendet tuaja është e mirëpritur”, u shpreh ministri i Brendshëm./ (21 prill)
Policia shqiptare, 20 skuadra të përbashkëta hetimore me BE dhe EUROJUST
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku vuri theksin të lufta e përbashkët kundër krimit dhe bashkëpunimin mes vendeve.
Ai tha se qëllimi i përbashkët për të forcuar bashkëpunimin dhe rritur akoma më shumë parametrat e sigurisë në vendet tona nuk është vetëm deklarativ, por i konkretizuar në shkëmbime të informacioneve dhe eksperiencave, në zhvillimin e trajnimeve, hetimeve dhe operacioneve të përbashkëta, si dhe në ofrimin e ndihmës së ndërsjellë logjistike dhe teknike.
Policia e Shtetit Shqiptar ka aktive 20 skuadra të përbashkëta hetimore, nga të cilat 14 me Italinë dhe pjesën tjetër, me vende të tjera të BE-së dhe EUROJUST dhe rezultatet janë premtuese.
Sa i përket luftës kundër krimeve kibernetike, Kreu i Policisë shqiptare apeloi për bashkëpunimin mes vendeve në këtë sfide.
Ndërsa vendi ynë u përball vitin e kaluar me 2 sulme të sofistikuara kibernetike,Policia e Shtetit po bashkëpunon si në nivel teknik, ashtu dhe në atë hetimor, me institucione dhe agjenci të zbatimit të ligjit, brenda dhe jashtë vendit, si dhe me Europol-in dhe Interpol-in.
Gjithashtu, po bashkëpunohet me shoqëritë e shërbimit të internetit, kompanitë ndërkombëtare që administrojnë rrjetet sociale dhe me Microsoft-in ndërsa kanë ofruar ndihmë agjencitë e zbatimit të ligjit të shumë shteteve, si dhe nga BE, NATO dhe SHBA.
Drejtori i Policisë Tiranë, Tonin Vocaj tha se ky takim shpreh një angazhim të të gjithëve për forcimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërmjet vendeve tona, dhe një garanci për paqe, harmoni dhe siguri në rajon.
Ai vuri në dukje se krimet e rënda, krimi i organizuar, krimi kibernetik, terrorizmi dhe flukset emigratore, përbëjnë sfidat më të mëdha të cilat kurrsesi nuk mund të adresohen të vetëm.
Vocaj deklaroi se bashkëpunim shumëpalësh ka ndikuar në përmirësimin e infrastrukturave të përbashkëta për lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitaleve, duke e shndërruar rajonin në një treg tërheqës dhe konkurrues për investimet e huaja, si dhe duke nxitur bashkëveprimin mes kulturave të ndryshme.
Por ai vuri në dukje se sulmet kibernetike kanë potencial për të dëmtuar rëndë shkëmbimin e informacionit në institucionet publike, të telekomunikacionit, sistemit financiar dhe atë bankar, duke shkaktuar ndërprerje të shërbimeve jetike./ (20 prill)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.