Shkolla e Mesme e Gjuhëve të Huaja në Tiranë, “Asim Vokshi” hapi dyert për 750 nxënës me mjedise të reja dhe bashkëkohore, falë rindërtimit nga programi “Eu4Schools”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga UNDP.

Gjimnazi ofron kapacitete të zgjeruara dhe hapësira moderne për nxënësit.

Në ceremoninë ku morën pjesë zyrtarë të lartë të arsimit në Shqipëri dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ambasadori i BE-në, Silvio Gonzato shprehu krenarinë për projektin në mbështetje të shkollave në Shqipëri.

“Ka të bëjë me solidaritetin, si një nga vlerat kryesore të BE. Këtu nuk ishte ideja vetëm për të ndërtuar shkolla, por për të krijuar një sistem arsimi modern. Ne duhet të kemi njerëz që mund të arrijnë në krye të Shqipërisë e ta bëjnë këtë një vend modern, efikas, pa korrupsion, ku njerëzit kanë të ardhmen e tyre të ndritur, ndaj ne kemi investuar kaq shumë”, u shpreh Gonzato.

Ambasadori i BE u ndal edhe tek promovimi i të rinjve për punësim, ndaj, siç u shpreh ai, “këtë skemë kaq të rëndësishme të BE e kemi sjellë edhe në Shqipëri”./ (4 shkurt)