Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor ndikon në buxhetin e Shqipërisë për 2024

Qeveria shqiptare miratoi projektbuxhetin 2024 ku planifikon zgjerimin dhe forcimin e strukturave negociuese dhe të lidhura me anëtarësimin në BE si edhe thithjen e fondeve të BE gjatë këtij viti dhe në vazhdim.

Në relacionin që shoqëron projektbuxhetin thuhet se ndikim të rëndësishëm në buxhetin e vitit 2024 dhe në vijim pritet të ketë Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i shpallur në maj 2023, i cili do të mbështesë financiarisht angazhimin e Shqipërisë dhe vendeve të rajonit për të siguruar nxitje të rritjes ekonomike dhe për të përshpejtuar procesin e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor.

Ky plan do të bazohet sidomos në nxitjen e rritjes dhe integrimit ekonomik me Tregun Unik të Bashkimit Evropian, integrimin ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor nëpërmjet Tregut të Përbashkët Rajonal, përshpejtimin e reformave themelore, që synojnë përshpejtimin e anëtarësimit në BE dhe përmirësimin e rritjes ekonomike dhe forcimin e stabilitetit rajonal.

Ky proces do të mbështetet nëpërmjet rritjes së asistencës financiare./ (6 nëntor)

Fondet e BE-së për Bujqësinë rezultuan në 485 kontrata nga IPARD II

Programi IPARD II si mbështetje e BE-së për Bujqësinë shqiptare nisi në vitin 2018 dhe deri më tani janë nënshkruar 485 kontrata aktive, me vlerë 83,6 milionë euro kontribut publik.

Shifrat u bënë të ditura nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në takimin e 11-të të Komitetit të Monitorimit të Programit IPARD II 2014-2020, të zhvilluar në Tiranë.

Komitetit i Monitorimit monitoron efektivitetin dhe cilësinë e zbatimit të programit IPARD duke shqyrtuar periodikisht progresin e bërë në arritjen e objektivave të përcaktuar në këtë program.

Ky komitet përbëhet nga shoqata dhe grupe të tjera interesi që operojnë në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural, si dhe autoritete publike.

Në këtë takim, krahas anëtarëve të Komitetit të Monitorimit dhe strukturave të IPARD, ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Komisionit Evropian, delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri si dhe organizata donatore./ (6 nëntor)

BE ndihmon të rinjtë shqiptarë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore

Delegacioni i BE-së në Tiranë organizoi një workshop në fushën e arkeologjisë për të rinjtë shqiptarë, me anë të të cilit i ndihmon ata në ndërgjegjësimin për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

BE-ja jo vetëm që po rindërton shkolla dhe kopshte me standarde më të larta, por gjithashtu po zgjon kureshtjen tek brezat e rinj dhe i ndihmon ata në ruajtjen e trashëgimisë kulturore të vendit të tyre.

Workshop-i fundit në “Ted Center” ndau njohuri teknike dhe histori magjepsëse rreth historisë së pasur të Shqipërisë. Aktiviteti u realizua përmes programit #EU4Culture./ (6 nëntor)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.