Plani i ri i BE për rajonin, qasje më e madhe në tregun e përbashkët
Kryeministri Rama deklaroi se plani i ri i rritjes financiare i Bashkimit Evropian për rajonin do të sigurojë një qasje më të madhe në tregun e përbashkët që do t’i ndihmojnë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor të ecin më mirë.
I ftuar në “Berlin Global Dialogue”, Rama u ndal tek rritja e fortë e turizmit në Shqipëri duke shtuar se pritet edhe rritje e madhe në fushën e energjisë.
“Ajo çfarë ne kuptojmë shumë tani dhe po e shohim me një farë kënaqësie që po realizohet edhe në nivel të Bashkimit Evropian, është që ky proces integrimi nuk mund të jetë një proces që për vendet kandidate të nënkuptojë gjithçka ose asgjë.
“Ose merr gjithçka kur je anëtar ose nuk merr asgjë derisa të bëhesh anëtar”, theksoi ai.
Kryeministri theksoi se duhen hapësira të reja për vendet kandidate.
“Për pak javë do të mbajmë samitin e parë të Procesit të Berlinit jashtë Bashkimit Europian, në Tiranë, dhe presim me padurim të dëgjojmë deklarimin, shpalljen e presidentes Von der Leyen për një plan të ri rritjeje për rajonin… që do të ndihmojnë ekonomitë tona që të ecin më mirë”, theksoi Rama./ (2 tetor)
BE financon fuqizimin e mbrojtjes sociale në Shqipëri
Institucionet shqiptare në bashkëpunim me programin rajonal për demokracinë vendore në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD2) i financuar nga Bashkimi Evropian, po punojnë në bashkitë Lushnjë, Patos, Kukës, Kamzë, Sarandë dhe Kavajë, për zhvillimin e projekteve me fokus fuqizimin e sistemit të mbrojtjes sociale.
Disa nga prioritetet strategjike të bashkive partnere të ReLOaD2 që ka çelur thirrjen e tretë publike për projektpropozime nga organizatat e shoqërisë civile janë rinia, shërbimet sociale, turizmi, kultura, mjedisi dhe arsimi.
Projektet konsistojnë në mbështetjen e aktiviteteve dhe sipërmarrjeve të ndryshme që synojnë zhvillimin në shërbim të komunitetit.
Gjithashtu, projektet do të promovojnë angazhimin e të rinjve dhe do të mbështesin zbatimin e iniciativave rinore.
Programi Rajonal për Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD2) financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNDP./ (2 tetor)
TransDiarica nis eksplorimin e pjesës shqiptare
Eksplorimi i pjesës shqiptare të TransDinarica, e para rrugë çiklizmi që lidh shtetet e Ballkanit, sapo ka nisur.
Me mbështetjen e GIZ Albania, skuadra sllovene nga instituti “Visit GoodPlace”, të cilët janë edhe ideatorët e këtij produkti, këtë javë filloi nga puna mbi segmentin që do të kalojë nëpër Shqipëri.
TransDinarica, pritet të jetë gati në 2024 dhe të ofrojë një larmishmëri peizazhesh, shtuar këtu edhe rrugët që lidhin fshatrat e largët me monumentet e kulturës, parqet natyrore, apo kuzhinën lokale.
Jan Klavora, menaxher i këtij projekti, shprehet se është i magjepsur nga Shqipëria që prej momentit të parë duke theksuar se synimi kryesor i këtij itinerari çiklistik, është që të afrojë njerëzit, kulturat dhe traditat përtej kufijve dhe pret me padurim rrugëtimin në ditët në vijim.
Via Dinarica është një shteg 1 930 kilometrash që lidh nga veriu në jug, vendet e Ballkanit Perëndimor.
Arteria kryesore e rrjetit, e njohur ndryshe edhe si Shtegu i Bardhë, kalon përmes Sllovenisë, Kroacisë, Bosnje-Hercegovinën, Malin të Zi, Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedonisë e Veriut dhe lidh malet përgjatë Alpeve Dinarike dhe maleve të Sharrit./ (2 tetor)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.