Forumi Rajonal për Qeverisjen e Mirë dhe Politikat Kundër Korrupsionit u mblodh në Tiranë, duke bërë së bashku përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile nga rajoni dhe autoritetet publike për të shkëmbyer praktikat më të mira në luftën kundër korrupsionit.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, tha në forum se lufta kundër korrupsionit është një nga sfidat më serioze. “Pas shumë dilemash sot askush në sallonin e politikës nuk ka imunitet, amnisti, nuk ka bunker ta shpëtojë nga e shkuara dhe përballja me drejtësinë, sa herë ajo është e nevojshme”, u shpreh ajo. Spiropali theksoi se tashmë askush nuk është i paprekshëm nga drejtësia.
Në fjalën e tij në këtë forum, ambasadori i BE-së Silvio Gonzato theksoi se lufta kundër korrupsionit është kyçe për vende si Shqipëria në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE.
“Korrupsioni kërcënon sigurinë, zgjeron pabarazitë dhe gërryen besimin tek institucionet. BE mbetet e angazhuar për të mbështetur Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit përmes asistencës financiare, teknike dhe strategjike,” tha ambasadori i BE-së Silvio Gonzato.
Sipas tij, duke filluar nga ky vit, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi u përfshinë gjithashtu edhe në raportet e BE për sundimin e ligjit, duke i vënë ato në të njëjtin nivel me shtetet anëtare, duke i ndihmuar që të identifikojnë dhe trajtojnë siç duhet këto problem.
Për më tepër, shtoi Gonzato, “plani i ri i rritjes të BE për Ballkanin Perëndimor ofron mundësi të re për përforcimin dhe përshpejtimin e përpjekjeve antikorrupsion”. (7 tetor)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.