Në Tiranë u prezantua faza e dytë e projektit EU4LEA që mbështet sundimin e ligjit në Shqipëri duke forcuar kapacitetin e vendit për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe krimin financiar.

Me pjesëmarrjen e shteteve anëtare të BE-së dhe drejtuesve të institucioneve kryesore të drejtësisë në Shqipëri, u prezantuan pritshmëritë nga projekti.

Gjatë katër viteve të ardhshme, me një buxhet prej 10.2 milionë eurosh, të zbatuar nga Ministria Italiane e Brendshme, CIVIPOL dhe GIZ, dhe të financuar nga BE me një kontribut të qeverisë gjermane, EU4LEA do të kontribuojë më tej në progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.

Në eventin ku morën pjesë ambasadorët e vendeve që mbështesin programin, ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, drejtuesi i SPAK, Altin Dumani dhe përfaqësues të agjencive ligjzbatuese, ministrja e Brendshme e Shqipërisë, Albana Koçiu tha se EU4Laë 2, vjen në një moment të rëndësishëm, teksa Shqipëria po harton kuadrin strategjik kombëtar kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda deri në vitin 2030.

“EU4LEA është një shtyllë e rëndësishme e bashkëpunimit tonë me BE, e konceptuar për të ndihmuar Shqipërinë të përmbushë piketat e ndërmjetme, veçanërisht në Kapitujt 23 dhe 24, si dhe për të konsoliduar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, nënvizoi Koçiu.

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato u shpreh se progresi në sundimin e ligjit mbetet kryesor për procesin e pranimit të Shqipërisë në BE, duke kërkuar një përpjekje kolektive të të gjitha institucioneve të drejtësisë.

“Nga ana tjetër, kjo do të kontribuojë në arritjen e qëllimit tonë përfundimtar: përmirësimin e jetës së njerëzve duke siguruar akses në drejtësi, duke mbrojtur të drejtat e njeriut dhe duke krijuar mundësi të barabarta për zhvillim të qëndrueshëm”, theksoi Gonzato.

Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Karl Bergner vuri në dukje se lufta kundër flukseve të paligjshme financiare dhe pastrimit të parave është pjesë e thelbit të panegociueshëm të procesit të pranimit në BE.

“Mbështetja jonë për EU4LEA II synon të ndihmojë Shqipërinë të përmbushë kërkesat e larta në këtë fushë”, tha Bergner.

Objektivat kryesore të projektit në këtë fushë përfshijnë mbështetje për Agjencinë e Inteligjencës Financiare, ngritja e Zyrës së Rikuperimit të Aseteve, si edhe përdorimin e teknologjisë dhe instrumenteve inovative për të zbuluar aktivitetet kriminale.

Në fazën e parë, projekti kontribuoi në rritjen e qëndrueshmërisë institucionale dhe efektivitetin e luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë, duke kombinuar harmonizimin ligjor, zhvillimin e kapaciteteve, inovacionin teknologjik dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Në fazën e dytë, objektivat konsiderohen ambicioze, por thelbësore për të ardhmen e vendit. (24 shtator)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.