Ministrja shqiptare e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni prezantoi Strategjinë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit 2024-2030, hartuar në bashkëpunim me projektin “EU 4 Good Governance”, financuar nga Bashkimi Europian në një aktivitet që mblodhi bashkë autoritete të larta vendase dhe të huaja.

Strategjia do të shërbejë si dokumenti politik themelor që parashtron zotimet konkrete të të gjitha institucioneve përgjegjëse për thellimin e mëtejshëm të luftës kundër korrupsionit në të gjitha nivelet e qeverisjes në Shqipëri.

Në cilësinë e Koordinatores Kombëtare Kundër Korrupsionit, Pirdeni tha se qëllimi i Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024-2030, është që, përmes një qasjeje të trefishtë të bazuar në parandalim, ndëshkim, dhe ndërgjegjësim, të adresohen sfidat kryesore të luftës kundër korrupsionit.

Ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato u shpreh se nisma e mbështetur në mënyrë aktive nga BE-ja, do të promovojë transparencë dhe llogaridhënie më të madhe.

“Trajtimi i korrupsionit është një detyrim nga negociatat e anëtarësimit, por nuk është vetëm kaq. Është diçka që i detyrohemi popullit shqiptar që pret të jetojë në një shoqëri të drejtë dhe të barabartë”, u shpreh Gonzato.

Ambasadori e vuri theksin tek zbatimi i strategjisë ndërsa konfirmoi se BE mbështet Shqipërinë në këto përpjekje përmes asistencës së gjerë teknike, projekteve të synuara dhe mbështetjes financiare, duke përfshirë edhe Planin e Rritjes.

Dokumenti iu nënshtrua një faze të gjatë 9-javore të konsultimit publik, që u pasua me reflektimin e komenteve dhe sugjerimeve të mbërritura nga të gjithë aktorët e interesuar. (6 nëntor)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.