Investimi për ndërtimin e portit tregtar 390 milionë euro
Ndërtimi i portit të ri tregtar në Porto Romano në Durrës, 35 kilometra në veriperëndim të Tiranës, do të ndryshojë skenën në rajon, pasi do të shndërrohet në portën hyrëse të Ballkanit Perëndimor.
Projekti për portin e ri tregtar është hartuar nga kompania holandeze “Royal Haskoning DHV”, një ndër kompanitë më prestigjioze të botës në fushën e projektimit të porteve, aeroporteve, infrastrukturës tokësore e nëntokësore, energjetike, minerare, industriale si dhe zhvillimeve urbane e rurale.
Ky projekt, që u prezantuar të hënën, në Tiranë integron hekurudhën Durrës-Prishtinë dhe të ashtuquajturat porte të thata në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.
Projekti do të shpallet në garë ndërkombëtare fillimvitin e ardhshëm dhe do të nisë zbatimin me çeljen e kantierit të Porto Romanos brenda vitit 2023.
Investimi për ndërtimin e kësaj vepre parashikohet të jetë 390 milionë euro, ndërsa do të punësohen afro 1 500 persona. 46% e vlerës së këtij projekti do të mundësohet nga qeveria shqiptare, ndërkohë që 54% do të jetë financim që do të sigurohet nga kompania ndërtuese.
Është një projekt strategjik i parashikuar që t’u përgjigjet kërkesave të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, por edhe vendeve të tjera të rajonit për katër dekadat e ardhshme.
Porto Romano do të ketë një sipërfaqe prej 400 hektarësh me kapacitet prej dy milionë kontejnerësh dhe 50 milionë tonë. Po ashtu parashikohet të presë deri në një milion pasagjerë. Nëpërmjet këtij projekti distanca me Prishtinën pritet të shkurtohet në 265 kilometra.
Projekti i investimit në Porto Romano, në përfundim të tij përllogaritet të ketë një impakt pozitiv në PBB-në e Shqipërisë, nga 3-6 %./ (12 dhjetor)
Porti tregtar, nyje strategjike me Perëndimin dhe Ballkanin Perëndimor
Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë prezantimit të projektit të portit të ri tregtar të Durrësit se “gara e kompanive që do marrin përsipër operimin e portit do jetë e hapur vetëm për vende mike dhe partnere”. Ai u shpreh se “do të mirëpriten kompani nga BE-ja, Mbretëria e Bashkuar, Turqia, Lindja e Mesme dhe nga SHBA-ja”. Sipas tij, “kompania duhet të vijë nga një vend pro NATO-s, kjo edhe për shkak të dimensionit që ka porti”.
Rama deklaroi se “ambicia është që porti i ri tregtar i Durrësit të bëhet nyja më e rëndësishme strategjike e gjithë qarkullimit tregtar me Perëndimin dhe me gjithçka tjetër përtej anës perëndimore dhe Ballkanit Perëndimor”.
Kreu i qeverisë tha se lajmi i rëndësishëm i samitit të 6 dhjetorit që u zhvillua në Tiranë, është se Korridori VIII është zyrtarisht i përfshirë në rrjetin e infrastrukturës së qarkullimit rrugor dhe hekurudhor të BE-së.
Nisur nga kjo, Rama nënvizoi edhe marrëveshjen e nënshkruar mes ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, për ndërtimin e portit të thatë të Strugës.
Për numrin dy të qeverisë në Shkup, Artan Grubi dhe ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës i Kosovës, Liburn Aliu, të pranishëm në ceremoni, “porti i ri tregtar në Durrës do të sjellë zhvillim të madh ekonomik për të tre vendet”./ (12 dhjetor)
Tirana, Prishtina dhe Shkupi marrëveshje edhe në turizëm
Parku Natyror Korab-Koritnik në Shqipëri, Parku Kombëtar Sharri në Kosovë, Parku Kombëtar i Mavrovës dhe Parku Kombëtar Malet e Sharrit në Maqedoninë e Veriut do të jenë së shpejti pjesë e një parku ndërkufitar, më i madhi i këtij lloji në Evropë me një sipërfaqe mbi 242 mijë hektarë.
Në Tiranë u zhvillua të hënën takimi ndërministror “Natyrë pa kufij” lidhur me këtë projekt mes ministres së Mjedisit dhe Turizmit Mirela Kumbaro, ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të Kosovës Liburn Aliu dhe ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Maqedonisë së Veriut, Naser Nuredini.
Ky projekt mes tre vendeve synon zhvillimin e përbashkët ndërkufitar i turizmit miqësor ndaj natyrës, menaxhim i përbashkët ndërkufitar i rajonit, promovimin e përbashkët të trashëgimisë së veçantë natyrore dhe kulturore përtej kufijve etj.
Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara (UNEP) që do të mbështesë këtë projekt./ (12 dhjetor)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.