Bashkimi Evropian financoi në Shqipëri raportin mbi gjendjen e barazisë gjinore, zbatuar nga UN Ëomen.
Raporti tregon progres në miratimin e ligjeve dhe politikave për barazinë gjinore, por vë në dukje edhe se zbatimi mbetet i pabarabartë, duke lënë shumë gra pas.
Gratë në Shqipëri vijojnë të përballen me pengesa në mundësitë ekonomike dhe, më shpesh sesa mendojmë, janë viktima të formave të ndryshme të dhunës.
Në aktivitetin e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, UN Women dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë ku u prezantua Profili i Barazisë Gjinore, autoritetet dhe grupet e interesit u bënë bashkë për të analizuar gjetjet.
I pranishëm në aktivitet, ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato u shpreh se dhuna me bazë gjinore është një çështje serioze e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe adresimi i saj është thelbësor edhe për procesin e anëtarësimit në BE.
“Studimi i OKB-së, të cilin e kemi financuar me krenari, nuk analizon vetëm problemet, por ndihmon edhe në orientimin e veprimeve: nga lufta kundër diskriminimit dhe forcimi i mbështetjes për viktimat e dhunës me bazë gjinore, te adresimi i abuzimit online dhe promovimi i pavarësisë ekonomike të grave”, tha ambasadori i BE-së.
Gonzato e vendosi theksin tek zgjerimi i mbrojtjes ligjore dhe psiko-sociale. “Kjo ka të bëjë dhe me faktin se, viktimat e dhunës të kenë mundësi të kalojnë në një jetë normale, pra të kenë pavarësi ekonomike, e cila është skajshmërisht e rëndësishme që të kthehesh në realitet. Do të thotë t’u kthejmë drejtësinë, atyre personave të cilëve u ishte mohuar”, tha ai.
Nga ana e saj, ministrja shqiptare e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala u shpreh se Profili i Barazisë Gjinore të Shqipërisë përbën një bazë shumë të mirë për punën që duhet të vijojë në këtë drejtim.
Sipas saj, pavarësisht përmirësimit të legjislacionit dhe politikave publike ndër vite, sfidat strukturore në fushën e barazisë gjinore mbeten dhe kërkojnë një punë të vazhdueshme.
Ministrja vuri në dukje se barazia ekonomike është një nga shtyllat kryesore që ndikon drejtpërdrejt në barazinë gjinore në përgjithësi. (18 dhjetor)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.
