Shqipëria nis projektin e gazifikimit në qytetin e Korçës
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, Belinda Balluku priti të martën në Tiranë, drejtorin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Artur Lorkowski.
Gjatë takimit u vlerësua fakti se Shqipëria ka pasur progres gjatë vitit 2022 përsa i përket zhvillimit të diversifikimit të burimeve të rinovueshme përmes ankandeve.
Balluku theksoi se kjo është theksuar si një arritje në progresin vjetor të implementimit të traktatit për vitin 2022 duke e veçuar Shqipërinë si një nga vendet e rajonit palë të traktatit.
Sipas saj, Shqipëria ka qenë vendi i parë që ka miratuar Planin Kombëtar për Energjinë dhe Klimën duke adoptuar të gjithë targetet e vendosura nga Bashkimi Evropian.
Për Shqipërinë viti 2022 ka rezultuar një vit i rëndësishëm në zhvillimet energjetike duke qenë se programet e eficencës së energjisë kanë qenë ato që janë aktivizuar dhe që janë përqafuar jo vetëm nga strukturat shtetërore, por edhe nga qytetarët duke rezultuar si një çelës i mirëfilltë suksesi.
Në takimin me Lorkowski, Balluku ka folur për uljen e humbjeve teknike pavarësisht se jemi përballur me një periudhë të vështirë duke nisur nga koha e pandemisë dhe pastaj me krizën energjetike dhe të gjithë paketën i që ka sjellë impakti i agresionit rus në Ukrainë.
Ministrja tha se është shënuar progres duke i ulur këto humbje me 1% gjatë vitit të kaluar.
Gjithashtu, Balluku e informoi Lorkowski lidhur me projektin e gazifikimit të qytetit të Korçës, 150 kilometra në juglindje të Tiranës, si një projekt i parë që do ta pilotojë për ta përhapur më pas edhe në vende të tjera.
Në fokus të këtij takimi ishin edhe prioritetet e Shqipërisë në kuadër të Presidencës të Komunitetit të Energjisë të cilën do ta mbajmë përgjatë vitit 2023.
“Shqipëria është në palët e para kontraktuese të Komunitetit të Energjisë që ka mbështetur objektivat e vendosura nga Këshilli Ministror i Komuniteti të Energjisë për energjinë e rinovueshme dhe efiçencën e energjisë dhe duke mbajtur Presidencën gjatë këtij viti ne do na duhet që patjetër të udhëheqim përmes shembullit ashtu siç kemi bërë edhe gjatë vitit 2022 kur i kemi kërkuar qytetarëve tanë që të ulin konsumin, por duke dhënë shembullin tonë të mirë dhe duke nisur nga të gjitha ndërtesat shtetërore”, deklaroi ministrja./ (31 janar)
Ngritja e bursës së energjisë në Shqipëri
Drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Artur Lorkowski vlerësoi progresin e arritur nga Shqipëria sa i takon Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes.
Pas takimit me Ballukun, në konferencën e përbashkët për mediat, ai vlerësoi punën e Shqipërisë në lidhje me energjinë.
Ai shprehur besimin se në kuadër të presidencës shqiptare të Komunitetit të Energjisë do të mund të çojnë përpara targetet e vendosura deri në vitin 2030 për energjitë e rinovueshme, reduktimin e çlirimit të karbonit dhe licencës së energjisë.
Në këtë aspekt u diskutua edhe projekti për garancitë e origjinës për energjitë e rinovueshme dhe Lorkowski shprehu besimin se kjo mbështetje, e bazuar në tregun për energjitë e rinovueshme, mund të jetë thelbësore, jo vetëm për investitorët, por edhe për tërhequr financime për zhvillimin e projekteve të energjive të rinovueshme
Lorkowski, shtoi se, një tjetër çështje e bisedimeve ishte edhe ngritja e tregut të energjisë në Shqipëri dhe u diskutua perspektiva për të pasur bursën e energjisë dhe hapat e nevojshëm për ta bërë këtë projekt të suksesshëm për Shqipërinë dhe për bashkëpunimin rajonal.
“Me mbështetjen e Sekretariatit, ngritja e bursës së energjisë në Shqipëri do të jetë e mundur brenda pak javësh dhe ne e përshëndesim dhe e duartrokasim këtë zhvillim”, theksoi ai./ (31 janar)
Subvencionim për panelet diellore
Pas thirrjes së parë për instalimin e paneleve diellore për ngrohjen e ujit për 2 000 konsumatorë familjarë, Agjencia e Eficiencës së Energjisë u është drejtua sërish subjekteve tregtuese të interesuara për ofrimin e shërbimit të shitjes dhe instalimit të paneleve diellore për ngrohjen e ujit.
Në fazën e dytë do të instalohen sërish 2 000 panele diellore për konsumatorët familjarë, të cilët do të përzgjidhen për të përfituar nga kjo skemë mbështetëse.
Në kuadër të situatës së vështirë energjetike me të cilën po përballet vendi dhe Europa, dhe në përputhje me Strategjinë Kombëtarë të Energjisë dhe Planin Kombëtar për Energjinë dhe Klimën, qeveria vendosi zbatimin e një skema nxitëse për reduktimin e konsumit të energjisë elektrike për abonentët familjarë.
Skema për nxitjen e përdorimit të paneleve diellore për ngrohjen e ujit nga konsumatorët familjarë ofron subvencionimin deri në masën 70% të kostos nga Agjencia për Eficiencën e Energjisë. Kjo masë synon reduktimin e konsumit të energjisë elektrike dhe përmirësimi i furnizimit me ujë të ngrohtë si dhe reduktimin e emetimeve të CO2.
Krahas kësaj qeveria vendosi edhe mbajtjen të pandryshuar të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët dhe biznesin familjarë./ (1 shkurt)
Kjo përmbledhje është një përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij botimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.