Balla: Fuqizim të kapaciteteve për mbrojtjen kibernetike
Ministeriali euroballkanik i ministrave të Brendshëm nga BE-ja dhe rajoni në kuadër të Procesit të Berlinit u zhvillua më 14 shtator në Tiranë, me pjesëmarrjen 26 delegacioneve të nivelit të lartë.
Ministeriali u hap nga ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla për të vijuar me paraqitjet e ministrit të Brendshëm të Spanjës, në cilësinë e Presidencës Spanjolle të Këshillit të BE, Fernando Grande-Marlaska, dhe zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të DG HOME, Johannes Luchner.
Në fund të takimit, Balla dha 10 konkuzionet e Ministerialit, duke e vendosur theksin tek sulmet kibernetike.
Sipas tij, ministrat e Brendshëm ranë dakord për një bashkëpunim të bashkërenduar mes vendeve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor për mbrojtjen nga krimi organizuar dhe trafiku i narkotikëve, nën ombrellën financiare të BE-së.
Balla u shpreh se mbështetja financiare e BE-së është e nevojshme për fuqizimin e kapaciteteve për mbrojtjen nga sulmet kibernetike, procesin e digjitalizimit, mbrojtjen e sigurisë së kufirit dhe emigracionit.
“Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë kërkuar të jenë pjesë e rrjetit CSIRT. Po ashtu shprehën nevojën për trajnime e teknologji për ekspertët e sigurisë kibernetike. Këto janë thelbësore në përgjigjen e sulmeve kibernetike. Gjithashtu janë të domosdoshme mbështetjet financiare të përcaktuara për çdo shtet”, tha Balla./ (18 shtator)
Grande-Marlaska: Parandalim migrimit të parregullt
Ministri i Brendshëm i Spanjës, Fernando Grande-Marlaska, në cilësinë e Presidencës Spanjolle të Këshillit të BE-së, tha se janë tri çështjet parësore në të cilat duhet shtrirë bashkëpunimi, jo vetëm për sa i takon interesit të rajonit, por edhe vetë Bashkimit Evropian.
“Së pari, menaxhimi i integruar i kufijve në Ballkanin Perëndimor. Presidenca e Këshillit po punon fort për të përmirësuar më tej funksionimin e zonës Schengen, si edhe po nxit një menaxhim inteligjent dhe të sigurtë të lëvizshmërisë përtej kufirit të jashtëm. Për këtë presidencë është përparësi të kërkohet bashkëpunimi me vendet e treta të origjinës dhe të tranzitit për të parandaluar më tej migracionin e parregullt”, tha Fernando Grande-Marlaska.
Prioriteti i dytë, sipas tij, është bashkëpunimi rajonal në luftën kundër krimit të organizuar.
“Përveç kësaj, ne nuk e humbasim nga sytë dhe krimin e organizuar të pastrimit të parave, apo të krimit teknologjik”, tha Fernando Grande-Marlaska.
Ai po ashtu vuri në dukje dhe rrezikun e agresionit rus për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Po i kushtojmë vëmendje të posaçme ndikimeve të sigurisë nga agresioni rus në Ukrainë. Ne duhet të forcojmë bashkëpunimi me Ballkanin Perëndimor, pasi pozita gjeografike dhe ekspozimi është tepër i ndjeshëm për këtë rajon”, nënvizoi Fernando Grande-Marlaska.
Lufta kundër krimit kibernetik ishte dhe prioriteti i tretë i paraqitur nga ministri i Brendshëm spanjoll./ (18 shtator)
Luchner: Siguria kibernetike një nga prioritetet kryesore në Ballkanin Perëndimor
Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i DG HOME i Komisionit Evropian, Johannes Luchner deklaroi se “siguria kibernetike është bërë tashmë një nga prioritetet tona kyçe në Ballkanin Perëndimor”.
Duke folur për menaxhimin e integruar të kufijve me Ballkanin Perëndimor, Luchner tha se “kemi diskutuar në mënyrë intensive trysnitë e shtuara migratore në rajon dhe përpjekjet tona të përbashkëta kanë sjellë rezultate”.
“Zbatimi i planit të veprimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor ka sjellë uljen e trysnive migratore në këtë korridor”, deklaroi ai.
“Në përgjithësi, trysnia migratore në korridorin e Ballkanit Perëndimor në fakt është ulur me 25 % në 7 muajt e parë të vitit 2023, me rreth 50 mijë kalime të parregullta të kufirit në këtë korridor, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022”, theksoi Luchner.
“Partnerët e Ballkanit Perëndimor janë aleatë të rëndësishëm për sa i përket kësaj çështjeje dhe kërkojmë që të vazhdojmë të bashkëpunojmë në lidhje me këto kërcënime. Ne kemi treguar angazhimin tonë në këtë fushë dhe me veprimet tona për fuqizimin e kapaciteteve”, tha ai.
Luchner theksoi po ashtu se siguria kibernetike është bërë tashmë një nga prioritetet tona kyçe në Ballkanin Perëndimor.
“Programi rajonal i sigurisë kibernetike, i financuar me fondet IPA, i cili filloi në mars të vitit 2023 do të vijojë me trajtimin e nevojave individuale të secilit prej partnerëve në Ballkanin Perëndimor, me një theks të veçantë tek bashkëpunimi rajonal dhe aktivitetet e përbashkëta”, tha Luchner./ (18 shtator)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.