Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë organizoi në Shkodër, 90 kilometra në veriperëndim të Tiranës, një aktivitet në kuadër të projektit “EU 4 Municipalities”.
Aktiviteti në Shkodër shënoi një moment të rëndësishëm të mbështetjes së BE-së për qeveritë vendore të Shqipërisë.
Me mbi 2,5 milionë euro të investuara në 19 bashki, ky program ka ndihmuar në përmirësimin e shërbimeve lokale, duke numëruar rreth 50,000 qytetarë përfitues, shumica të rinj.
Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato u shpreh i lumtur për shpalljen e një fazë të re me një buxhet të katërfishuar prej 10 milionë euro, që synon nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe rritjen e cilësisë së jetës për të gjithë shqiptarët.
“Qeveritë vendore janë aktorët kryesorë në procesin e integrimit në BE pasi ato krijojnë dhe menaxhojnë një pjesë të madhe të hapësirave dhe shërbimeve publike që përcaktojnë cilësinë e jetës së shqiptarëve si qytetarë të ardhshëm të BE-së”, tha Gonzato..
“Në Shkodër diskutuam se si projektet konkrete të zhvillimit të financuara nga BE – në pronësi të komuniteteve lokale me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e tyre të përditshme – kanë përparuar deri tani. Bashkimi Evropian do të vazhdojë të ndihmojë bashkitë shqiptare që të jenë në gjendje të marrin më shumë fonde të BE-së në mënyrë gjithëpërfshirëse duke u angazhuar me shoqërinë civile, sipërmarrësit, grupet rinore dhe komunitetet lokale”, nënvizoi ai.
Falë 23 ndërtesave publike lokale të rehabilituara nga programi ”BE për bashkitë”, qytetarët tani mund të mbështeten në 68 shërbime bashkiake të modernizuara dhe të përmirësuara, nga të cilat përfitojnë drejtpërdrejtë 49,332 anëtarë të komunitetit lokal, nga të cilët 32,787 janë të rinj.
”BE për bashkitë” është nisma e parë e BE-së në Shqipëri që ofron mundësi financiare për investime ekskluzivisht për bashkitë.
Projekti BE për Bashkitë do të mbështesë zhvillimin e infrastrukturës vendore duke mundësuar shërbime publike më cilësore dhe zhvillim ekonomik vendor të qëndrueshëm.
Projekti do të ndikojë drejtpërsëdrejti në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe perspektivës për qytetarët shqiptarë në komunitetet e tyre.
”Be për bashkitë” adreson problemet themelore që ndikojnë në cilësinë e jetës së komuniteteve lokale në Shqipëri nëpërmjet investimeve në infrastrukturë dhe përmirësimit të shërbimeve publike.
Ai kontribuon në krijimin e një mjedisi favorizues për zhvillimin ekonomik dhe kohezionin social në nivel vendor, forcon kapacitetet për mobilizimin e fondeve për financimin e projekteve të investimeve kapitale dhe kontribuon në forcimin e kapaciteteve vendore për përthithjen dhe zbatimin e asistencës financiare nga Bashkimi Evropian./ (15 korrik)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.