Qeveria shqiptare nënshkroi me BERZH marrëveshjen e kredisë dhe grantit për financimin e projektit për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Belshit.
Ky projekt i mbështetur nga Komisioni Europian parashikon ngritjen e një parku me 50 MW fuqi të instaluar, i cili do të ofrojë energji elektrike për më shumë se 16 mijë abonentë, ndërkohë që kapacitetet e tij vjetore do të jenë 79 gigavat dhe do të reduktojnë me 50 mijë tonë CO₂ çdo vit.
Marrëveshja u nënshkrua në prani të ambasadorit të BE në Tiranë, Silvio Gonzato nga zëvendëskryeministrja shqiptare njëheraz dhe ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku dhe nga drejtorja e BERZH për Shqipërinë, Ekaterina Solovova.
Ministrja Balluku tha pas nënshkrimit se Shqipëria rrit kapacitetet prodhuese përmes burimeve të rinovueshme, duke hedhur një hap tjetër në rrugën drejt objektivit që të kthehet në një vend eksportues neto të energjisë elektrike brenda vitit 2030.
Solovova u shpreh se kjo marrëveshje huaje dhe granti për prodhimin e energjisë elektrike për përdorim familjar, është dëshmi e politikave inteligjente, të vizionit dhe investimit të Qeverisë Shqiptare.
“Synimi është që Shqipëria të bëhet tërësisht e pavarur në sektorin e energjisë. Së bashku me ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë ne kemi dorëzuar ankande të tillë duke siguruar tarifat më të ulëta në rajon për Shqipërinë dhe së bashku me këto ankande po punojmë për linjëzimin e kuadrit ligjor energjetik të Shqipërisë me BE-në”, tha Solovova.
Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Belshit, njoftoi nisjen e një programi të ri për efikasitetin e energjisë me vlerë 50 milionë euro, fonde këto që do të menaxhohen nga qeveria shqiptare.
“Bashkimi Europian do të nisë një program të ri ndihme për efikasitetin energjetik, me financim prej 50 milionë eurosh, një kontribut që vjen nga fondet e paraanëtarësimit të IPA. Marrëveshja e financimit pritet të nënshkruhet javët e ardhshme. Ky program do të nisë më vonë gjatë këtij viti dhe do të përqendrohet në përmirësimin e efikasitetit energjetik në ndërtesat publike, impiantet ujore dhe infrastrukturën e stacioneve të karikimit të makinave elektrike”, tha Gonzato.
Ai theksoi gjithashtu se Bashkimi Europian i ka besuar qeverisë shqiptare zbatimin e këtij programi, duke e cilësuar këtë si një tjetër shenjë besimi dhe partneriteti në kontekstin e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
“Ky është një hap i rëndësishëm në përgatitjen e administratës për menaxhimin e fondeve të BE-së në kuadër të anëtarësimit. BE mbetet e angazhuar pa ndërprerje për të mbështetur sigurinë dhe qëndrueshmërinë energjetike të Shqipërisë, ndërkohë që luftojmë kundër pasojave të ndryshimeve klimatike dhe rrisim qëndrueshmërinë ndaj krizave”, shtoi Gonzato. (24 korrik)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.