Prokurorët e Përgjithshëm dhe Specialë nga i gjithë Ballkani Perëndimor u mblodhën në Tiranë për një takim të mundësuar nga projekti i Drejtësisë Penale të BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Qëllimi i takimit ishte të luftojnë rrjetet ndërkombëtare të krimit të organizuar, të forcojnë bashkëpunimin ndërkufitar në drejtësi, të ndërtojnë besim mes prokurorëve në rajon dhe të ofrojnë asistencën e BE-së, veçanërisht përmes Eurojust-it, Agjencisë së Bashkimit Evropian për bashkëpunimin në fushën e drejtësisë penale.

I pranishëm në forum, në fjalën e hapjes, Presidenti i Eurojust, Michael Schmid tha se “Ballkani Perëndimor është partner shumë i rëndësishëm i Eurojust”. Ai vuri në dukje se organizata që drejton kërkon të përmirësojë dhe të rrisë nivelin e bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor.

“Mendojmë se projekti për Ballkanin Perëndimor është efikas për ta bërë këtë. Objektiv kryesor është të rrisim besimin reciprok dhe njohuritë mes prokurorëve dhe gjyqtarëve për të rritur bashkëpunimin ndërkufitar në rajon dhe mes vendeve të BE-së”, theksoi Schmid.

Schmid u shpreh se “që nga forumi i parë i organizuar nga Mali i Zi ka pasur shumë raste të identifikuara sa i përket mashtrimit online dhe janë arrestuar qindra të dyshuar dhe janë konfiskuar mallra të paligjshëm në numër shumë të lartë”.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato u ndal në fjalën e tij tek bashkëpunimi i ngushtë midis aktorëve të drejtësisë dhe zbatimit të ligjit përtej kufijve si moment kyç për të luftuar krimin ndërkufitar.

“Krimi ndërkufitar dhe korrupsioni shkaktojnë dëm financiar për shoqëritë tona, pengojnë rritjen ekonomike dhe gërryejnë besimin e qytetarëve tek institucionet. Në Shqipëri, kemi parë një rritje të numrit të çështjeve të profilit të lartë që synojnë krimin e organizuar ndërkufitar, pastrimin e parave dhe korrupsionin, të cilat janë hetuar dhe ndjekur penalisht me sukses përmes bashkëpunimit gjyqësor me shtetet anëtare të BE-së dhe me agjencitë e BE-së”, u shpreh ai.

“Rezultatet konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë një faktor i rëndësishëm në progresin e vendeve kandidate drejt anëtarësimit në BE. BE-ja do të vazhdojë të mbështesë gjyqësorin dhe agjencitë e zbatimit të ligjit në Shqipëri në luftën e tyre kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, theksoi ambasadori i BE-së Silvio Gonzato.

Në forum e mori fjalën dhe kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri, Altin Dumani sipas të cilit “lufta kundër krimit të organizuar është një betejë që nuk njeh kufij gjeografikë, por kërkon bashkëpunim të ngushtë rajonal dhe ndërkombëtar”.

Sipas tij, “grupet dhe organizatat kriminale janë të ndërlidhura dhe për shpërbërjen e tyre kërkohet punë e koordinuar në nivel rajonal”.

Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Olsian Çela, u shpreh se Shqipëria në kuadër të forumit do të nënshkruajë me Malin e Zi një memorandum mirëkuptimi që do të japë efekt pozitiv dypalësh në drejtim të veprimit të koordinuar rajonal në çështjet e drejtësisë. (18 qershor)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.