Godinat 16 dhe 17 të konvikteve në Qytetin Studenti në Shqipëri tashmë janë me kushte bashkëkohore që nga dhomat e studentëve, sallat e leximit, internet falas etj. Rikonstruksioni i tyre përfshin edhe rehabilitimin me eficiencë të energjisë elektrike.
Godinat e përuruara ditët e fundit janë të pajisura nga dhomat e fjetjes me dushe e tualete më vete, sallat e leximit, hapësirat e gatimit dhe ngrënies në çdo kat, internet falas, sistem sigurie dhe lavanderi.
I pranishëm në ceremoninë e inaugurimit, Kryeministri shqiptar Edi Rama falënderoi delegacionin e Bashkimit Europian dhe Bankës Gjermane për Zhvillim KfW.
Rama tha se Qytet Studenti është një qytet që duhet t’i shërbejë të ardhmes dhe duhet të ofrojë kushtet optimale, të njëjta me kushtet më të mira që janë në vendet e BE-së.
Projekti “Rehabilitimi me eficiencë energjetike i konvikteve studentore të universiteteve publike në Shqipëri”, i financuar nga Gjermania dhe BE-ja, nëpërmjet KfW-së së bashku me Shqipërinë, përfshin rinovimin me eficiencë energjetike të 19 konvikteve studentore të kampusit të Qytetit Studenti I në Tiranë.
Gjithsej, më shumë se 2.600 studentë shqiptarë do të përfitojnë nga masat, të cilat përmirësojnë ndjeshëm kushtet e jetesës dhe të studimit, duke i përafruar ato me standardet e larta të zbatuara në vendet e tjera evropiane.
Minimumi 70% e kapacitetit të konvikteve të rinovuara do të plotësohet nga studentë me të ardhura të ulëta, duke promovuar kështu infrastrukturën sociale për studentët e paprivilegjuar. (7 shkurt)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.