Në Elbasan, qytet në Shqipërinë Qendrore u përurua një tjetër ndërmarrje sociale e cila është ndërtuar në një pronë të konfiskuar nga keqbërës të dënuar. Shndërrimi i kësaj prone në ndërmarrje sociale i jep mundësi të reja komunitetit vendas.
Falë projektit TWIST të BE-së, kjo hapësirë tani strehon një punëtori ku gratë vendase, shumë prej të cilave me prejardhje nga komunitete të cenueshme, thurin qilima tradicionale dhe produkte të tjera të punuara me dorë. Ata jo vetëm që po ruajnë trashëgiminë, por edhe po fitojnë jetesën dhe mbështesin familjet e tyre.
Të pranishëm në përurimin e ndërmarrjes ishin ministri i Brendshëm shqiptar, Ervin Hoxha, autoritetet lokale si dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato.
Me programin TWIST, së bashku me OJQ-të e Shqipërisë dhe BE-së, BE ndihmon në kthimin e pasurive të konfiskuara në mundësi. Gjatë ceremonisë, autoritetet vunë në dukje se edhe kthimi tek qytetarët shqiptarë i aseteve të fituara me praktika kriminale apo korruptive hyn tek lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ambasadori Gonzato u shpreh se duhet siguruar që nisma të tilla të jenë të qëndrueshme dhe të mbrohen nga kërcënimet për të provuar se ligjshmëria mbizotëron dhe se mosndëshkimi ka marrë fund. “ Aksioni ynë i përbashkët dërgon një mesazh të fuqishëm në luftën kundër veprimtarisë kriminale në Shqipëri: Pasuritë e konfiskuara, sado të mëdha apo të vogla, mund të përdoren për një kauzë të mirë shoqërore”, theksoi ai. (11 tetor)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.