Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë çeli fushatën EU4Education me prezantimin e Qendrës së parë Komunitare të EIT në Shqipëri.
Instituti Evropian i Inovacionit dhe Teknologjisë (EIT), një organ i Bashkimit Evropian, në partneritet me projektin “BE për Inovacionin” ngre Qendrën e parë Komunitare të EIT-it në Shqipëri. Kjo nismë synon të forcojë ekosistemin e inovacionit në rajon dhe të lidhë novatorët, sipërmarrësit dhe talentet vendase me rrjetin më të madh të inovacionit në Evropë.
Gjatë aktivitetit, shefi i Bashkëpunimit në delegacionin e Bashkimit Europian në Shqipëri, Hubert Perr vlerësoi se Shqipëria po bëhet pjesë e rrjeteve dhe sistemeve të ndryshme të BE-së përpara se të jetë shtet anëtar dhe kjo gjë sipas tij, “është shembull i integrimit të përshpejtuar në BE”.
Perr bëri të ditur se BE do të lançojë një fushatë 7-javore, duke u përqendruar tek arsimi dhe rëndësia e arsimit për një vend si Shqipëria.
Për sa i përket novacionit, Perr vlerësoi se falë programeve të BE-së për mbështetjen e start up-eve në 5 vitet e fundit po vërehen rezultate të prekshme në Shqipëri.
Perr foli po ashtu për fushatën 7-javore të lançuar nga BE për arsimin, ndërsa u ndal te programet që po zbaton BE në këtë fushë në Shqipëri. Perr theksoi se BE ka planin e rritjes dhe agjendën e reformës si një instrument tërësisht të ri për të cilin kapitali njerëzor dhe reformat vlerësohen si më kryesoret.
“Ne duam që këtë çështje ta trajtojmë në partneritet me qeverinë, por përtej kësaj kemi shumë programe si ‘BE për shkollat’, me anë të së cilit po shndërrojmë infrastrukturën shkollore në Shqipëri duke restauruar 64 shkolla që u dëmtuan nga tërmeti i vitit 2019”, tha ai.
Perr theksoi po ashtu se ka edhe një nismë tjetër rajonale në bashkëpunim me partnerët gjermanë siç është programi i “Super shkollave”, apo programi i BE-së për rininë.
“Kemi edhe Garancinë Rinore si dhe programe që kanë të bëjnë me trajnime të ndryshme profesionale. Kemi një sërë programesh që bëjnë të mundur që Shqipëria të përfitojë nga këto programe të BE, si programi ‘Erasmus’ apo Kolegji i Europës që hapi kampusin e vetë të tetë në Shqipëri ku ka studentë nga vende të ndryshme të Europës”, vuri në dukje Perr.
Qendra Komunitare EIT do të shërbejë si një qendër e vetme për sipërmarrësit dhe novatorët vendas për t’iu qasur një game të gjerë mundësish në arsim, zhvillimin e bizneseve dhe bashkëpunimin kërkimor.
Ky projekt i madh është pjesë e programit të Skemës Rajonale të Inovacionit EIT (EIT RIS), që punon për përshpejtimin e agjendës së inovacionit të Evropës dhe për angazhimin e talenteve vendase në mundësi me vlera të larta. (11 shkurt)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.