Qendra për të Drejtat e Gruas Rome (QDGR) dhe Latif Kazanxhiu u vlerësuan me çmimin e BE-së për integrimin e romëve në Shqipëri.
E udhëhequr nga gra rome, QDGR-ja po sjell ndryshim të vërtetë. Falë punës së tyre janë mbyllur dy shkolla të dedikuara për fëmijët e komunitetit rom, të cilët më pas janë ndihmuar të përfshihen në arsimin e zakonshëm. Ato gjithashtu kanë mbështetur mbi 600 të rritur për të vijuar shkollimin, po fuqizojnë gratë rome për të hapur biznese dhe po luftojnë për barazi në arsim.
Prej 30 vitesh, Latif Kazanxhiu ka qenë mbrojtës i të drejtave arsimore të komunitetit rom. Nga mësimi i fëmijëve në shtëpi deri te krijimi i një qendre digjitale për të rinjtë, ai po thyen stereotipe dhe po ndërton më shumë mundësi për komunitetin e tij.
Sipas delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, së bashku me nisma frymëzuese nga Ballkani Perëndimor dhe Turqia, puna e tyre po sjell një ndikim të vërtetë në komunitetet rome—duke avancuar përfshirjen, fuqizimin dhe progresin në përputhje me vlerat dhe mbështetjen e Bashkimit Evropian.
Çmimi është një kujtesë e qartë e faktit se qytetarët romë janë një pjesë e rëndësishme e zgjerimit, por shumë shpesh i përkasin grupeve më të cenueshme të popullsisë.
Çmimi i BE-së njeh angazhimin e fituesve në fuqizimin e romëve për të shfrytëzuar potencialin e tyre të plotë si anëtarë të shoqërisë.
Çmimi i këtij viti tregon rëndësinë e arsimit si një shtytës kryesor për ndërtimin e qëndrueshmërisë së komuniteteve rome përballë ndryshimeve dhe krizave sociale, ekonomike, mjedisore, shëndetësore dhe politike.
Çmimi i BE-së për Integrimin e Romëve në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi u krijua në vitin 2014 për të njohur rëndësinë e integrimit të romëve në partnerët e zgjerimit të BE-së.
Organizatat fituese të shoqërisë civile marrin një çmim monetar prej 8,000 € për çmimin e parë dhe 5,000 € për çmimin e dytë për të vazhduar punën e tyre në arsimin e romëve. Fituesit e sektorit privat dhe publik morën çmime jomonetare. Të gjithë fituesit u shpërblyen me një vizitë studimore në Bruksel, një trofe dhe një diplomë çmimi si pjesë e njohjes për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm.
Edicioni i 6 -të i vitit 2025 shpërbleu 15 fitues të përzgjedhur nga një total prej 100 aplikimesh dhe nominimesh nga Ballkani Perëndimor dhe Turqia. (22 prill)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.
