Kryeministri Edi Rama priti në zyrën e tij, së bashku me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, fëmijët e heronjve të shoqëruar nga familjarë dhe të afërm të tyre, për t’ju komunikuar këtë vendim, i cili konkretizon zotimin e qeverisë shqiptare për t’iu bërë krah fëmijëve të heronjve të rënë në krye të detyrës.

Qeveria ka marrë vendim që t’u ofrojë mbështetje të plotë fëmijëve deri në 150% të pagës së prindit, deri sa të jenë të zotët e vetes.

Tre fëmijët e Major Klodian Tanushit, Komandant i Kontigjentit Shqiptar në Letoni, i rënë në krye të detyrës gjatë misionit të NATO-s në bazën Adazi në Letoni, janë të moshave 4, 13, 17 vjeç.  Statusin “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës” e ka marrë dhe vajza 1 vjeçare e dr. Leonard Kamberi mjekut Obstetër-Gjinekolog të Spitalit Rajonal të Vlorës, që humbi jetën në shërbim të qytetarëve, si pasojë e Covid-19.

Rama ka theksuar se deri kur këta fëmijë të dalin nga universiteti, do të jenë nën kujdesin e Republikës përmes qeverisë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu shpjegoi se këtyre fëmijëve do u ofrohet mbështetje e plotë, për arsimin, për shkollën e lartë gjithashtu, për shërbimet shëndetësore, por edhe deri në punësimin e tyre.

Paketa e plotë e mbështetjes

Sipas vendimit të qeverisë, paketa e mbështetjes për fëmijët në përkujdesje të Republikës parashikon 100 për qind të pagës së prindit për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit që ka humbur jetën, ka një fëmijë që gëzon statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”,  70% për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit, që ka humbur jetën, ka dy fëmijë të mitur; 50% për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit, që ka humbur jetën, ka tre fëmijë ;  40% për çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit, që ka humbur jetën, ka katër fëmijë si dhe 30% çdo fëmijë, kur në ngarkim të personit, që ka humbur jetën, ka më shumë se katër fëmijë që gëzojnë statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”.

“Fëmijët në Përkujdesje të Republikës” do të përfitojnë gjithashtu bursën për ndjekjen e arsimit parauniversitar në institucionet arsimore publike dhe tekste shkollore falas.

Po kështu përfitojnë bursë të plotë nga fondi i mbështetjes studentore dhe janë të përjashtuar nga tarifa vjetore në institucionet publike të arsimit të lartë.

Gëzojnë të drejtën e orientimit profesional falas dhe mbështetje për punësim në administratën publike ose biznesin privat. Deri tani 15 fëmijë e kanë përfituar Statusin “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës”.

Komisioni Qendror i ngritur për vlerësimin e dosjeve të profesionistëve të rënë në krye të detyrës, do të mblidhet çdo herë që ka kërkesa për marrjen e këtij statusi.

Mbrojtja e fëmijëve, premtim i mbajtur

Pas dy fazave të para, ku Statusi i veçantë i është akorduar 15 fëmijëve, bij të heronjve që sakrifikuan jetën në krye të detyrës apo për të shpëtuar jetë të tjera, do të vijojë procesi i shqyrtimit të dosjeve nga komisioni i posaçëm për “Fëmijët në Përkujdesje të Republikës”.

Në shkurt u konstituua Komisioni Qendror për dhënien e statusit “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës”, duke i hapur rrugë zbatimit të ligjit për mbështetjen me paketën e plotë për fëmijët të “Dëshmorëve të Atdheut”.

Inicimi i këtij ligji ishte një angazhim i vetë Kryeministrit Rama për marrjen në mbrojtje të fëmijëve pa kujdes prindëror, fëmijët e atyre të cilët kanë dhënë jetën në shërbim të tjetrit, kanë sakrifikuar jetën e tyre për ata të cilët kanë pasur afër dhe për t’i shpëtuar ata sikurse janë policët, mjekët, infermierët dhe të gjithë ata të cilët kanë marrë apo kanë përfituar statusin “Dëshmor i Atdheut”.

Komisioni Qendror është i përbërë nga përfaqësues të disa ministrive dhe shoqatave që mbrojnë të drejtat e fëmijëve.

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.