Diskutime me bankat në ndihmë të eksportuesve

Qeveria shqiptare ndërmori një paketë masash në ndihmë të eksportuesve të goditur nga zhvlerësimi i monedhës evropiane, euro, në kursin e këmbimit në tregun vendas.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi të mërkurën se në mbledhjen e Këshillit të Ministrave u miratua vendimi, i cili parashikon shtyrjen e afatit të pagesës së kësteve të tatimfitimit për bizneset, të cilat eksportojnë mbi 70 % të mallrave të tyre, deri në mars 2024.

Ajo theksoi se subjektet eksportues që eksportojnë mbi 70 % të prodhimit të tyre nuk do të parapaguajnë tatimfitimin.

Nëse këto biznese dalin me humbje nuk do të paguajnë tatimfitim dhe nëse ato dalin me fitim do të paguajnë tatimin që përcakton ligji.

Po ashtu, Ibrahimaj bëri të ditur që një tjetër masë që është marrë në ndihmë të këtij sektori është edhe shkurtimi i afatit të rimbursimit të TVSH-së, i cili në ligj përcaktonte një afat 30-ditor për kategorinë e bizneseve eksportuese.

Ministrja informoi se po vijojnë diskutimet me bankat e nivelit të dytë për të arritur në një dakordësi që ato të ofrojnë produkte që i lejojnë bizneset të fiksojnë kursin e këmbimit për kontratat e arritura një vit në avancë.

Ministrja tha se forcimi relativ i lekut kundrejt euros ka nisur që prej vitit 2016, kryesisht për shkak të zhvillimeve në ekonominë shqiptare, të lidhura me turizmin dhe eksportin e shërbimeve, pra me hyrjen e më shumë eurove për shkak të numrit të lartë të turistëve, ndërkohë dhe vlera e lartë e investimeve të huaja direkte që lidhen me zhvillimet ekonomike ka sjellë hyrje të valutës dhe zhvlerësimin e euros./ (7 qershor)

Çmimet e prodhimit shënuan rritje

Çmimet e prodhimit shënuan një rritje me 9,4%, në tremujorin e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Një vit më parë ky ndryshim ishte 17%.

INSTAT publikoi Indeksin e Çmimeve të Prodhimit sipas të cilit çmimet e prodhimit shënuan rritje me 1,5% krahasuar edhe me tremujorin e katërt të vitit 2022.

Krahasuar me tremujorin e parë 2022 rritja më e madhe e çmimeve prej 18,3% vërehet në seksionin “energjia elektrike, gaz, avull dhe me ajër të kondicionuar”, pasuar nga seksionet “industri nxjerrëse” me 13% dhe “industri përpunuese” me 7%.

Brenda këtij seksioni rritja më e madhe e çmimeve vërehet në aktivitetin “’shtypshkrimi dhe rigrupimi i mediave të regjistruara” me 25,4%, pasuar nga aktivitetet “prodhimi i drurit dhe produkteve prej druri dhe dushku, përveç mobiljeve; prodhimin e artikujve prej kashte dhe xunkthi” me 15,1%, “prodhimi i produkteve minerale jo metalike” me 132%, “pajisje të tjera transporti” me 11,4%.

Nga ana tjetër ulja më e madhe e çmimeve vërehet në aktivitetin “prodhimi i mjeteve të transportit, rimorkiove dhe gjysëmrimorkiove” me 4,0%, pasuar nga aktiviteti “përpunimi i koksit dhe rafineria e nënprodukteve të naftës” me 2,8%./ (9 qershor)

Kreditimi i biznesit për investime

Portofoli i kredisë për investime të biznesit, shënoi shifrën 11,7 miliardë lekë në fund të muajit prill të këtij viti.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë, vlera totale e portofolit të kredisë për investime në biznes, ku kryesojnë blerjet e makinerive dhe pajisjeve, shënoi një rënie me 1,0%.

Deri në fund të vitit 2022, ndryshimi vjetor i vlerës së këtij portofoli kishte qenë pozitiv në masën 2,4%.

Sipas Bankës së Shqipërisë, ngadalësimi i kredisë për biznesin mund të lidhet me disa faktorë. Rritja e normave të interesit të kredive e ka rritur koston e financimit të investimeve të reja me kredi, duke ndikuar rrjedhimisht në një ulje të kërkesës për kredi./ (11 qershor)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.