Kryeministri shqiptar, Edi Rama tha për median se efektet e vendimit të qeverisë fillojnë nga data 1 shtator 2022.
Të gjithë punonjësit e policisë në nivel inspektorësh dhe nivel i mesëm dhe ata në Administratën Publike do të kenë rritje të pagës nga 7-15%.
Rama shtoi se vendimi për shtesë page përfshin 10,800 punonjës të Policisë së Shtetit, në nivel inspektorësh dhe nivel i mesëm, Gardën e Republikës, si edhe për 3,600 punonjës të burgjeve dhe zjarrfikësat.
Rama theksoi se e njëjta gjë vlen për Administratën Publike dhe jo vetëm për nëpunësit në Shërbimin Civil, por edhe për punonjësit mbështetës.
Për sa u përket pensionistëve, kryeministri theksoi rritjen prej 9,5% në raport me pensionin e një viti më parë. Sipas vendimit te qeverisë, pensioni i muajit shtator, i cili do të fillojë të paguhet në tetor, do të indeksohet 6% për të gjitha kategoritë e pensioneve dhe, duke i shtuar 3,3% që u indeksuan në muajin prill, rritja totale është prej 9,5%.
Në të gjithë Shqipërinë, janë 674,000 përfitues të cilët do të përfitojnë direkt nga indeksimi i pensioneve.
Kostoja në buxhetin e shtetit për këtë indeksim është dy miliardë lekë për vitin 2022, ndërsa për buxhetin e vitit të ardhshëm indeksimi i pensioneve do ketë një kosto prej 8,4 miliardë lekësh.
“Vendimet që kemi marrë janë të rëndësishme në kuadrin e rezistencës ndaj inflacionit të luftës, pas agresionit rus në Ukrainë, dhe njëkohësisht të angazhimit të qeverisë për të mbështetur të gjithë ata që janë më në nevojë dhe ata të cilët janë në krye të detyrës”, deklaroi Rama./ (29 shtator 2022)
Mburojë sociale për shtresat në nevojë
Qeveria ka marrë vendimin për rritjen e pagës minimale, nga 32,000 lekë në 34,000 lekë, ku përfitojnë në total 34,000 punonjës.
Familjet me ndihmë ekonomike do të kenë një rritje me 10%, por gratë kryefamiljare me dy fëmijë kanë dyfishim të ndihmës ekonomike, gjë që pason gratë kryefamiljare me tre fëmije. Nga ky vendim përfitojnë 64,000 familje.
Gjithashtu, për të gjithë të moshuarit mbi 65 vjeç, që janë në kategorinë e ndihmës ekonomike, do të ketë dyfishim të ndihmës ekonomike, në mënyrë që pesha më e madhe që ata mbajnë për shkak të dobësisë së pozicionit të lehtësohet më shumë.
Në vendimin e qeverisë përfshihet edhe indeksimi për të gjithë personat me aftësi të kufizuar që trajtohen nga ndihma shtetërore, me rreth 90,000 përfitues./ (28 shtator 2022)
Çmimi i energjisë i pandryshuar për familjet dhe biznesin e vogël
Qeveria shqiptare do vazhdojë të mbajë të pandryshuar çmimin e energjisë elektrike për familjarët dhe biznesin e vogël.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se “ne duam as të mos preket çmimi e as të mos ketë kufizime. Besoj që deri tani ia kemi dalë. Dimri është sfidë e madhe, por hap pas hapi do të shikojmë si do të veprojmë duke i qëndruar deri në fund me këmbëngulje këtij parimi dhe kësaj politike, që të mos prekim çmimin e energjisë për familjarët dhe për biznesine vogël”.
Mbetet i pandryshuar çmimi 9,5 lekë për kwh deri në 800 kwh në muaj për konsumatorët dhe biznesin e vogël
Për konsumatorët dhe biznesin e vogël që tejkalon 800 kwh në muaj, energjia do të tarifohet në bazë të çmimit të tregut.
Duke vendosur fashën 800 kwh nga 1 tetori 2022 deri më 31 dhjetor 2023, synohet të kursehen 100 milionë euro dhe do të ketë 2,5% ulje të pritshme të konsumit të energjisë.
Çmimi që do të aplikohet në të ardhmen për ata që konsumojnë mbi 800 kwh do të jetë 35 lekë për kwh plus 7 lekë tarifë transmetimi dhe shpërndarjeje.
Paketa ofron mbështetje shtesë për energjinë elektrike për paraplegjikët, për tetraplegjikët dhe për të verbërit.
Efekti financiar i kësaj mase për periudhën shtator-dhjetor 2022 është 31 milionë lekë.
Për vitin 2023 llogaritet 123 milionë lekë dhe përfitues janë 11,411 persona./ (26 shtator 2022)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.