Ngrirje e kësteve të tatim-fitimit dhe rimbursim brenda tre ditësh i TVSH-së

Qeveria shqiptare ka marrë masa në ndihmë dhe mbështetje të eksportuese për të minimizuar efektet negative që vijnë nga zhvlerësimi i euros.

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj ka publikuar dy masat afatshkurtra të marrë për t’i mundësuar eksportuesve më shumë likuiditet.

Ibrahimaj së bashku me Guvernatorin e Bankës së Shqiopërisë, Gent Sejko kanë zhvilluar takime të vazhdueshme javët e fundit me shoqatën e eksportuese të cilët kërkuan me këmbëngulje që të hetoheshin shkaqet e rënies së euros në Shqipëri dhe të ndërhyrhjen për normalizimin e situatës.

Qeveria do të miratojë një Akt Normativ, përmes së cilit do të vendoset ngurtësimi i parapagimit të kësteve të tatim-fitimit për kompanitë që eksportojnë më shumë se 70% të prodhimit të tyre.

Në një deklaratë për mediat, Ibrahimaj tha të enjten se dy masat e marra janë mospagimi i kësteve të tatim-fitimit deri në fund të vitit 2023 dhe rimbursimi i TVSH-së për tre ditë, nga 30 që ishte më parë.

Nga kjo masë do të përfitojnë  kompanitë që eksportojnë më shumë se 70% të qarkullimit dhe prodhimit të tyre.

Ibrahimaj tha se, edhe disa nga masat e propozuara nga Shoqata e Bankave mund të jenë një instrument i dobishëm siç është ristrukturimi i kredive, me qëllim që maturiteti i kredive të rritet dhe kostot e bizneseve të ulen të paktën në afatshkurtër.

Ministrja ka theksuar se një tjetër instrument i dobishëm mund të ishte dhe lidhja e kontratave “forëard” ndërmjet bizneseve dhe bankave, për të pasur siguri mbi ndryshimet e kursit të këmbimit në të ardhmen, për kontratat që do të lidhen.

Nga ana e tyre, shoqata e eksportuesve kanë mirëpritur masat e marra duke theksuar se propozimi i tyre u reflektua në kohë rekord./ (11 maj)

Forcimi i lekut nuk cenon rritjen e eksporteve

Shqipëria prej shumë vitesh ndjek një regjim të lirë kursi këmbimi. Në zbatim të këtij regjimi, Banka e Shqipërisë nuk targeton një nivel të caktuar të kursit të këmbimit, e megjithatë i kushton një vëmendje të veçantë ecurisë së tij.

Për sa i përket trendit forcues të monedhës vendase, sipas analizave të kryera, Guvernatori Sejko ka theksuar se Banka e Shqipërisë gjykon se ky pasqyron përmirësimet strukturore të ekonomisë dhe të tregjeve financiare shqiptare, të shfaqura këto në forcimin e pozicionit të jashtëm të ekonomisë dhe në rritjen e besimit të publikut në monedhën kombëtare.

Për Guvernatorin, forcimi i kursit të këmbimit të lekut është një fenomen i përcaktuar nga ekonomia reale dhe jo nga tregu financiar.

Forcimi i kursit të këmbimit ka ndihmuar qëndrueshmërinë e bilanceve financiare të kredimarrësve në valutë, duke pasur një efekt direkt pozitiv në nivelin e kredive me probleme dhe në stabilitetin financiar të vendit.

Gjithashtu, ky forcim nuk ka cenuar rritjen e eksporteve shqiptare përkundrazi, ai ka ndihmuar në kontrollin e inflacionit në vend, i cili ka qenë dhe mbetet më i ulti në rajon, duke ndihmuar në ruajtjen e fuqisë blerëse të familjeve shqiptare. Si rrjedhojë, Shqipëria pati një ndër normat më të larta të rritjes ekonomike në rajon gjatë vitit 2022./ (11 maj)

Rritja e investimeve nga përmirësimi financiar

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, investimet totale u rritën 9,8 % në tremujorin e katërt të vitit 2022, duke konfirmuar kthesën rritëse të tremujorit të tretë.

Sipas BSH-së, rritja e investimeve u përcaktua kryesisht nga rritja e investimeve private të bizneseve në ndërtime si dhe në makineri e pajisje.

Gjithashtu, rritja e investimeve private është mbështetur nga gjendja e përmirësuar financiare, norma e lartë e shfrytëzimit të kapaciteteve, ulja e pasigurive dhe vijimi i flukseve pozitive të kreditimit bankar.

Banka e Shqipërisë parashtron se, treguesit e disponuar sugjerojnë vijimin e prirjes rritëse të investimeve gjatë tremujorit të parë të vitit 2023.

Vrojtimet e bizneseve flasin për gjendje financiare dhe normë të shfrytëzimit të kapaciteteve të bizneseve mbi mesataren historike. Teksa importi i makinerive dhe pajisjeve ka vijuar rritjen në terma realë dhe mbështetja me kredi ka vijuar edhe në tremujorin e parë./ (12 maj)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.