Porti i ri turistik i Durrësit ndër më të mëdhenjtë e Mesdheut
Qeveria shqiptare ka nënshkruar të hënën në Tiranë marrëveshjen me investitorin Mohamed Alabbar, themelues dhe pronar i kompanisë EMAAR, me qendër në Dubai, për ndërtimin e “Durrës Yacht & Marina” në qytetin e Durrësit.
Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për projektin mes qeverisë dhe “Eagle Hills Real Estate Development” nga zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë Besart Kadia, investitorit Muhammed El Alabbar dhe Erlis Hereni, drejtor i Agjencisë për realizimin e këtij projekti, ishin të pranishëm edhe kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja dhe njëkohësisht ministrja për Energjinë dhe Infrastrukturën, Belinda Balluku.
Ky projekt cilësohet si investimi më i madh i huaj në historinë e Shqipërisë, me vlerë rreth dy miliardë euro dhe projekti më të rëndësishëm turistik, i cili do të transformojë rrënjësisht Durrësin, duke e vendosur në radhën kryesore të destinacioneve turistike në Mesdhe, me një impakt të thellë ekonomik për të gjithë rajonin.
Projekti gjigant, i cili do të shtrihet në 450 hektarë dhe do të çelë përgjatë gjithë zhvillimit të tij 12 000 vende të reja pune, është finalizimi i një rruge të gjatë pune voluminoze, në aspektin tekniko-ligjor, me një investitor të madh strategjik prestigji i të cilit është botërisht i njohur.
Ky investim, i pari i këtij lloji për nga rëndësia ekonomike zhvillimore, por edhe për pjesëmarrjen e shtetit si bashkëzhvillues, në një Partneritet korrekt Publik, Privat parashikon krijimin e një kompanie të përbashkët, ku shteti është aksionar në masën 33% dhe ka të gjitha benefitet e një aksionari në të ardhura dhe fitim, pa patur asnjë kontribut financiar në zhvillim./ (30 janar)
Investimi më i madh i huaj në rajon
Kryeministri Edi Rama deklaroi pas nënshkrimit të marrëveshjes se projekti “Durrës Yacht & Marina” hyn në ekonominë shqiptare si një lokomotivë që do të sjellë impakt të jashtëzakonshëm në rritjen e shpejtësisë së zhvillimit ekonomik.
Kreu i Ekzekutivit është shprehur se ky është projekti më i rëndësishëm turistik, investimi më i madh i huaj në historinë tonë dhe ndoshta të rajonit, i cili do të transformojë rrënjësisht Durrësin, duke e vendosur në radhën kryesore të destinacioneve turistike në Mesdhe, me një impakt të thellë ekonomik jo vetëm për qytetin bregdetar, po për të gjithë vendin.
Kryeministri vlerësoi se nënshkrimi i marrëveshjes për zhvillimin e projektit “Durrës Yacht & Marina” është finalizimi i i një rruge të gjatë pune voluminoze, në aspektin tekniko-ligjor, me një investitor të madh strategjik prestigji i të cilit është botërisht i njohur.
Rama shprehu bindjen se projekti “Durrës Yacht & Marina” do të sjellë një transformim të paimagjinueshëm deri pak vite më parë.
Sipas tij, ky projekt hyn edhe si konkurrencë në tregun ndërkombëtar që do të ofrojë shërbime jo vetëm të një cilësie të padiskutueshme, por do të ofrojë punësim cilësor dhe shumë profile pune të mirëpaguara.
Rama tha se ky është jo vetëm investimi më i madh i huaj në historinë e vendit tonë, por edhe si investimi më i madh i drejtpërdrejtë i huaj në rajon.
Po ashtu Rama tha se projekti sjell edhe një model të ri zhvillimi në aspektin e qëndrueshmërisë në raport me mjedisin.
Investitori Alabbar tha se projekti në Durrës do të jetë një nga më të përparuarit në botë dhe kjo do të mundësoj edhe hapjen e shumë vendeve të reja të punës.
Ai tha se disa nga gjërat që po bëjnë në Durrës janë më të përparuara edhe se në Dubai.
“Në Durrës do të jetë një nga më të përparuarat. Pas këtij nënshkrimi shpresoj që kjo të funksionojë si motivuese për të thënë që shumë po ndodh në Shqipëri dhe në fakt kemi qenë me kaq fat që e kemi bërë këtë dhe rruga përpara është shumë entuziazmuese”, deklaroi Alabbar./ (30 janar)
Durrësi me dy porte, turistik dhe tregtar
Zëvendëskryeministrja dhe njëkohësisht ministrja për Energjinë dhe Infrastrukturën, Belinda Balluku deklaroi të hënën se Durrësi do të ketë dy porte, atë Turistik të Marinës dhe atë Tregtar të Porto Romanos.
Në fjalën e saj gjatë ceremonisë për nënshkrimin e marrëveshjes, Balluku bëri me dije se më 1 shkurt do të bëhet prezantimi i detajuar inxhinierik për të gjitha kompanitë e interesuara ndërkombëtare për këtë port.
Ministrja u ndal në specifikat e projektit duke vënë në dukje se Durrësi do të kthehet në një zonë rekreative dhe të gjithë qytetarët do të kenë akses në vijën bregdetare.
Ajo u shpreh se ka një interes të madh nga kompanitë ndërkombëtarë sepse do të jetë i lidhur me dy porte.
“Porti do të shtrihet në 450 hektarë me një thellësi mbi 16 metra dhe është studiuar për të qenë i aksesueshëm për të akomoduar anije të tonazhit të rëndë. Të gjitha këto zhvillime inxhinierike shoqërohen me një zhvillim të rëndësishëm për të cilën kemi nisur diskutimet me partnerët tanë të NATO-s”, deklaroi ajo.
Ajo nënvizoi se kjo është një ndërmarrje historike që do të ndryshojnë njëherë e përgjithmonë Durrësin./ (30 janar)
Kjo përmbledhje është një përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij botimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.