Mbështetje shtresave në nevojë dhe indeksim i pensioneve
Qeveria shqiptare ka prezantuar Paketën e re të Rezistencës Sociale, e cila është konceptuar si një mbështetje afatmesme, që konkretizon angazhimin e qeverisë për t’u siguruar qytetarëve shqiptarë një mbështetje të qëndrueshme për përballimin e pasojave të krizës globale.
Ajo theksoi se ka ndërhyrë në një sërë fushash.
Kryeministri Edi Rama, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ministrja e Ekonomisë, Ibrahimaj detajuan kategoritë mbështetëse të kësaj pakete që ndihmon shtresat në nevojë, rrit pagat për administratën dhe mban të pandryshuar çmimin e energjisë për familjarët dhe biznesin e vogël.
Rama tha se Paketa e re e Rezistencës Sociale për të parën herë riindekson pensionet brenda të njëjtit vit me normën e re të inflacionit duke e çuar në 9,5% indeksimin vjetor. Duke nisur nga shtatori pensionistët do të kenë indeksim prej 6%. Kostoja në buxhet për këtë periudhë të vitit llogaritet në 2 miliardë lekë. Përfitues janë 674,000 pensionistë.
Në total rritja për këtë vit për pensionistët shkon në 9,5% dhe kostoja në buxhet për vitin 2023 llogaritet në 8,4 miliardë lekë.
Gjithashtu, Rama ka nënvizuar se mbështetja do vijojë me të njëjtën qasje ashtu si paketa paraardhëse për naftën pa taksa për fermerët, për rritjen e financimit, mbështetjen për TVSH e peshkimit dhe mosrritjen e çmimit të biletës se transportit.
“Shqipëria është i vetmi vend në rajon dhe në Evropë që ka marrë një vendim të prerë politik për të mos e prekur çmimin e energjisë për familjarët dhe për biznesin e vogël,” tha Rama.
Sipas tij, kjo mbrojtje deri tani rezulton edhe arsyeja themelore pse Shqipëria ka inflacionin më të ulët në rajon.
Kryeministri theksoi se plani i qeverisë është rritja e kapaciteteve prodhuese, garantimi i prodhimit të energjisë në vend dhe transformimi i Shqipërisë në një eksportuese neto të energjisë.
“Brenda vitit 2030 do të arrijmë që të jemi një vend sovran në prodhimin dhe në eksportin e energjisë,” tha Rama./ (12 shtator 2022)
Çmimi i energjisë rritet 42 lekë mbi fashën 800 kWh
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku në prezantimin e paketës antikrizë ka deklaruar se çmimi i energjisë do të jetë 42 lekë/kWh për të gjithë ato që shpenzojnë mbi 800 kWh.
Sipas saj, kjo fashë i përket një numri shumë të vogël abonentësh, pasi mbi 96% e abonentëve familjarë konsumojnë nën 800 kWh në muaj, ndërsa vetëm 4% e abonentëve familjarë përbëjnë 19% të volumit të konsumit mujor vendas.
Ministrja ka nënvizuar se duke vendosur fashën 800 kWh nga 1 tetori deri më 31 dhjetor 2023 do të kursehen 100 milionë euro dhe do të ketë 2,5% ulje të pritshme të konsumit të energjisë.
Çmimi që do të aplikohet në të ardhmen për ata që konsumojnë mbi 800 kWh do të jetë 35 lekë për kWh plus 7 lekë tarifë transmetimi dhe shpërndarjeje.
Paketa u ofron mbështetje shtesë për energjinë elektrike për para dhe tetraplegjikët dhe të verbërit.
Efekti financiar I kësaj mase për periudhën shtator – dhjetor 2022 është 31 milionë lekë. Për vitin 2023 llogaritet 123 milionë lekë dhe përfitues janë 11,411 persona./ (9 shtator 2022)
Efekti financiar i paketës është 43,1 miliardë lekë
Paketa e re e Rezistencës Sociale do të shkojë si mbështetje në çdo familje shqiptare, ndërkohë që ka në fokus edhe sektorin prodhues dhe transportin.
Totali i mbështetjes së dhënë përmes kësaj pakete për përballimin e krizës gjatë këtij viti llogaritet të ketë një efekt financiar prej 43,1 miliardë lekësh.
Nga muaji shtator do të rriten pagat në sektorin publik me 7% për 41,000 punonjës. Efekti në buxhet llogaritet 713 milionë lekë në periudhën shtator – dhjetor 2022 dhe 2,9 miliardë lekë në vitin 2023.
Përmes kësaj pakete pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit rriten 5,560 lekë në muaj ku përfitojnë 10,800 punonjës. Pagat e punonjësve të Policisë së Burgjeve rriten me 10,548 lekë në muaj për 3,600 punonjës, pagat e administrates rriten me 5,000 lekë në muaj dhe përfitojnë 20,000 punonjës.
Paga minimale rritet me 7 % duke shkuar në 34,000 lekë. Nga fillimi i vitit paga minimale ka shënuar rritje me 13%, dhe rritja neto nga fillimi vitit për 200 mijë punonjës llogaritet 3,500 lekë.
Qeveria vendosi përmes kësaj pakete dyfishimin e masës së përfitimit për gratë kryefamiljare me dy fëmijë; personat mbi 65 vjeç që jetojnë vetëm, pa pension pleqërie apo pension social. Efekti financiar i kësaj mase për periudhën shtator – dhjetor të këtij viti llogaritet 236 milionë lekë. Për vitin 2023 kostoja në buxhet shkon 944 milionë lekë dhe përfitues janë 64,000 familje.
Paketa prek edhe personat me aftësi të kufizuar. Për këtë kategori do të ketë indeksim të pagesës me 7,5 %. Efekti financiar për periudhën shtator – dhjetor llogaritet 188 milionë lekë. Për vitin 2023 kjo kosto shkon në 752 milionë lekë dhe përfitues janë 90,000 qytetarë.
Fondi shtesë i akorduar për fermerët është 500 milionë lekë për naftën pa taksa duke e çuar në 2 miliardë lekë në total mbështetjen për vitin 2022 për 34,000 përfitues . Qeveria ka akorduar një fond prej 500 milionë lekësh mbështetje për fermerët për mbjelljen e grurit.
Mbështetja për sektorin e peshkimit rritet me 200 milionë lekë për rimbursimin e TVSH-së së naftës për 200 përfitues./ (7 shtator 2022)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.