Reformë në strukturën e pagave
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar të mërkurën (29 mars) planin kombëtar për rritjen e pagave mesatare dhe mbimesatare për administratën publike dhe reflektimin që do të ketë sektori privat në këtë drejtim.
Rama ka deklaruar pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave se me këtë nismë synohet që rritja e pagës mesatare të arrijë deri në 900 euro e cila do të realizohet përmes dy fazave.
Rama u shpreh se plani ambicioz për rritje pagash, synon që të mundësojë në harkun e këtyre dy viteve, 2023-2024, ngritjen e Shqipërisë në nivele të larta krahasuar me rajonin.
Kryeministri ka theksuar se reforma e strukturës së pagave do të ndikojë drejtpërdrejtë edhe sektorin privat dhe rrogat do të rriten për të gjithë.
Rama tha se do të hyjmë në një fazë ku shteti do të bëhet konkurrent me sektorin privat.
Sipas tij, “rritja e pagave jashtë mundësive mund të hapë një gropë të madhe që në fillim është e padukshme, pastaj bëhet e dukshme dhe pastaj i thith të gjithë brenda”.
Më herët, Këshilli i Ministrave miratoi rritjen e pagës së mjekëve dhe të infermierëve me 7%, ndërkohë që mjekëve specialistë paga iu rrit me 50 mijë lekë.
Gjithashtu kryeministri u shpreh se qeveria do të mbajë zotimin për të realizuar shtesë mbi pensionin prej pesë mijë lekësh.
Qeveria ka paralajmëruar nisjen e zbatimit të një reforme në strukturën e pagave, duke iu përgjigjur kështu jo vetëm krizës ekonomike që ka prekur mbarë botën, por edhe për të bërë shtetin më konkurrent me sektorin privat.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj ka deklaruar se kjo reformë do të zbatohet përgjatë harkut kohor të dy viteve dhe se nuk do të cenojë në qëndrueshmërinë e financave publike.
Sipas saj, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka marrë angazhimin që edhe në këtë fazë të zhvillimit të aktivitetit ekonomik në vend të vijojë përsëri me konsolidimin fiskal.
Ibrahimaj ka nënvizuar se e gjithë reforma do të përballohet brenda parametrave të qëndrueshmërisë fiskale./ (30 mars)
Taksa e jashtëzakonshme e eksportuesve të energjisë, do t‘u shpërndahet pensionistëve
Kryeministri Edi Rama bëri publik të shtunën (1 prill) lajmin për të gjithë pensionistët, të cilët gjatë muajit prill do të përfitojnë nga taksa e jashtëzakonshme e vendosur për eksportuesit e mëdhenj të energjisë.
Ram është shprehur se pensionistët janë më të prekurit nga pesha e luftës në Ukrainë, ndaj edhe do të përfitojnë nga kjo taksë, megjithëse sipas tij nuk do të jetë masa e fundit lehtësuese për ta.
Sipas vendimit të firmosur nga Rama pensionistët do të marrin 5 000 lekë si masë lehtësuese.
“E bëri BE-ja, e tha edhe këtu Ursula Von Der Leyen që po, kjo është diçka krejt e drejtë në këtë kohë krize”, ka deklaruar Rama.
Ai tha se kjo është një tjetër masë lehtësuese, por nuk është e fundit.
Në tetor të një viti më parë, kryeministri paralajmëroi vendosjen e një takse të jashtëzakonshme për tre kompani që po shesin energji elektrike jashtë vendit.
“Janë tre kompani të mëdha që prodhojnë energji dhe e shesin me çmime stratosferike jashtë. Ne atyre do t’u vëmë një taksë të jashtëzakonshme. Kjo është një taksë e jashtëzakonshme për një fitim marramendës, që vjen si rezultat i fatit, jo si rezultat i ndonjë investimi të veçantë”, është shprehur Rama.
Ai ka sqaruar se kjo taksë synon mbledhjen e të ardhurave plus, të cilat do të rishpërndahen për ata që janë më në nevojë, duke filluar nga pensionistët dhe shkallë-shkallë tek të gjithë të tjerët.
Rama tha se me këtë parim do të përballohet situata e shkaktuar nga lufta në Ukrainë./ (2 prill)
Profesionet e lira barrë më të ulët fiskale se pagëmarrësit
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi të premten se ndryshimet në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” që ndër të tjera përfshijnë në skemë edhe profesionistët e lirë, përforcojnë zbatimin e legjislacionit fiskal dhe reduktojnë hapësirat për të kryer evazion.
Ibrahimaj ka deklarura se nisma për zerimin e tatimit mbi fitimin për biznesin e vogël u ndërmor me qëllim mbështetjen e biznesit familjar, si berber, furra buke, markete të vogla, këpucar, që punojnë me qëllim të garantimit të një të ardhure mujore për të mbajtur familjen e tyre.
Përmes politikës sonë lehtësuese, ka theksuar ajo, synonim t’u rrisnim të ardhurat e disponueshme dhe t’i nxisnim ata për të bërë investime të mëtejshme dhe për të rritur biznesin e tyre.
Por, vuri në dukje ministrja, u pa një ulje e nivelit të punëmarrësve në sektorë specifikë në profesione të lira dhe një rritje e numrit të personave fizikë për profesionet e lira.
Ibrahimaj bëri të ditur se edhe me përfshirjen e profesioneve të lira në skemën e taksimit sipas ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” ato do të vijojnë të kenë një barrë taksimi më të ulët se sa pagëmarrësit.
“Në të gjitha rastet iniciativa e lirë dhe risku që marrin këta profesionistë për të hapur një biznes vlerësohet pozitive, pasi ka taksa më të ulëta”, ka deklaruar ministrja./ (2 prill)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.