Në fokus mbrojtja e qytetarëve nga rritja e çmimit të energjisë
Qeveria ka vendosur të shtyjë gjendjen e emergjencës në furnizimin me energji elektrike deri më 31 dhjetor 2023.
Në vendimet e publikuara të mërkurën nga qeveria bëhet me dije se është vendosur që të shtyhet me gjashtë muaj situata e emergjencës së furnizimit me energji elektrike.
Vendimi është marrë në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
Qeveria e shpalli gjendjen e emergjencës së furnizimit me energji elektrike në fillim të muajit tetor të vitit 2021.
Vendimi i emergjencës është i diktuar nga një situatë e përgjithshme e rritjes marramendëse të çmimit të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare dhe i jep qeverisë mundësinë që të ndërhyjë qoftë me instrumente financiarë, qoftë edhe me instrumente të natyrës administrative. Synimi i qeverisë është të mbrojë konsumatorët, me një rend prioritetesh nga poshtë-lart, nga ata që janë më në nevojë e duke vajtur më lart, përmes biznesit të vogël dhe më tej./ (3 gusht)
Sigurim i furnizimit me energji gjatë sezonit turistik
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka deklaruar të premten (21 korrik) gjatë një takimi me drejtuesit e institucioneve në varësi se po merren të gjitha masat për furnizimin pa ndërprerje me energji në të gjithë vendin, këtë sezon veror, ku ka një flusk të lartë të turistëve, si dhe kur temperaturat janë ekstremisht të larta.
Balluku kërkoi marrjen e mesave për të ju përgjigjur dy kompenentëve, fluksit të lartë të turistëve, nga Velipoja në Ksamil si dhe temperaturave ekstremisht të larta që krijojnë probleme teknike.
Sipas saj, ka pasur një bashkëpunim të shkëlqyer të grupeve të OST me OSHEE, për të zgjidhur çdo problematikë të paraqitur në kohën më të shkurtër.
Zëvendëskryeministrja ka nënvzuar se 1100 punonjës të OSHEE-së janë në territor, në zonat bregdetare, për t’iu përgjigjur çdo problematike të paraqitur, për të siguruar furnizim me energji elektrike pa ndërprerje./ (7 gusht)
35 milionë euro për përmirësimin e rrjetit energjetik në veri të vendit
Komisioni parlamentar i Ekonominë dhe Financat ka miratuar në fillim të muajit korrik marrëveshjen e huas prej 35 milionë eurosh me Italinë për përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike në veri të Shqipërisë, pas dëmtimeve të tërmetit të vitit 2019.
Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja ka deklaruar se kjo hua u sigurua në kuadër të konferencës së donatorëve “Bashkë për Shqipërinë”, për masat e rimëkëmbjes për t’u financuar nga donatorët ndërkombëtarë pas tërmetit të nëntorit të vitit 2019.
Përmes kësaj huajë synohet të përmirësohet sektori shqiptar i energjisë bazuar në parimet e tregut dhe në zhvillimin e sektorit modern të energjisë në zonat e Durrësit dhe të Shkodrës, si dhe të përmirësojë lidhjen, cilësinë, efikasitetin e transportimit dhe rrjetit të energjisë elektrike për të nxitur zhvillimin e familjeve dhe të sektorit privat, ku Shqipëria ka një potencial të madh.
Në pikëpamjen strategjike, projekti do të ndikojë për përmirësimin e sistemit të shpërndarjes, duke u ofruar institucioneve dhe sektorit privat mundësi të reja dhe ndërlidhje të shtuar, të cilat lidhen drejtpërsëdrejti ose tërthorazi me procesin e pranimit dhe të integrimit në Bashkimin Evropian.
Huaja koncesionare do të përmbajë një element granti të barabartë me 60%. Norma e interesit do të jetë 0.50 në vit dhe periudha e shlyerjes është 25 vjet, nga të cilat 12 vjet do të jenë periudhë mospagimi (gjatë periudhës së mospagimit do të paguhen vetëm interesat)./ (7 gusht)
Kjo përmbledhje është një përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij botimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.