Rritja e pagave nga të ardhurat në buxhet
Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për rritjen e pagave për disa kategori, që nga data 1 prill.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj bëri të ditur se pagat rriten për sektorin e shëndetësisë, policinë e burgjeve, Policinë e Shtetit, zjarrfikësit, gardën, mësuesit si dhe për punonjësit në kategoritë mbështetëse në administratën publike.
Sipas ministres, ky vendim vjen në kuadër të reformës së madhe që po ndërmerr qeveria shqiptare për pagat.
Kostoja vjetore, e cila do të jetë e plotë në vitin 2025, llogaritet në 38 miliardë lekë.
Ministrja Ibrahimaj ka theksuar se këto fonde do të sigurohen nga rritja e të ardhurave në buxhet si dhe nga rialokime të brendshme.
“Kjo reformë në sistemin e pagave do të kryhet brenda kuadrit makrofiskal, pra duke ruajtur të gjithë parametrat makrofiskalë. Pra ne do të vijojmë të ulim borxhin publik dhe defiçitin duke garantuar qëndrueshmëri fiskale”, tha ajo./ (20 prill)
Rreth 40% rritje page deri në 2024 për policinë
Nga vendimi i qeverisë për rritjen e pagave përfitojnë punonjësit e policisë së burgjeve dhe punonjësit e sistemit shëndetësor në burgje.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja deklaroi se me rritjen e pagës, punonjësit e këtij sektori barazohen me punonjësit e Policisë së Shtetit.
Sipas tij, duke filluar që te gradat e rolit bazë, gradat e mesme, por dhe gradat e larta në Policinë e Burgjeve ka rritje page në dy faza.
“Rritja e menjëhershme do t’i shtrijë efektet financiare nga data 1 prill dhe rritja tjetër do të jetë në vitin 2024”, tha Manja.
Ndërsa ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi sqaroi se për zjarrëfikësit paga rritet rreth 14%, për Gardën e Republikës, grada më e ulët pëson një rritje rreth 22% dhe në gradat e tjera më të larta në 7-10%.
Ai shtoi se në sistemin e Policisë, rritja e pagave shkon nga 7% për nivelet e larta deri në 25% për nivelet inspektor.
“Në 2024 është parashikuar që rritja që do bëhet në tre fazat, duke marrë që nga tetori i vitit të kaluar dhe deri në 2024 rritja do të bëhet në nivele rreth 40% për gjithë sistemet”, deklaroi ministri./ (20 prill)
Rritje page për 22 mijë punonjës të shëndetësisë dhe mbi 36 mijë mësues
Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për rritjen me 50 mijë lekë të pagës për çdo mjek specialist, që punon në spitale dhe poliklinika në të gjithë vendin.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastriliu deklaroi pas mbledhjes së qeverisë e ka konsideruar vendim historik rritjen e pagave për fuqizimin dhe mbështetjen e bluzave të bardha dhe rritjen e cilësisë së shërbimit për qytetarët.
Sipas saj, paga 50 000 lekë në muaj do të jetë për çdo mjek specialist që punon në strukturat e spitaleve dhe të poliklinikave në të gjithë vendin.
Ministrja bëri me dije se me 7% rritet paga për mjekët dhe infermierët dhe teknikët e shkencave mjekësore në të gjithë sistemin parësor dhe atë spitalor, ndërkohë që do të ketë edhe një rritje nga 25% deri në 50% për të gjithë ata punonjës në administratat e njësive vendore të kujdesit shëndetësor, të agjencive të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të spitaleve.
Sipas saj, plani për rritjen e pagave të targetuara do të vijojë edhe në vitin 2024.
Nga plani 2023-2024 i rritjes së pagave përfitojnë rreth 22 mijë profesionistë të shëndetësisë në të gjithë vendin.
Edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi bëri të ditur vendimin për rritjen e pagave të mësuesve, të cilat vitin e ardhshëm do të jenë nga 23-36% më shumë në varësi të përvojës dhe të gjitha kualifikimeve që ata kanë.
Ministrja tha se paga e një mësuesi të shkollave 9-vjeçare do të jetë 95 550, ndërsa për arsimin e mesëm të lartë do të jetë 106 800 lekë paga bruto.
Kushi theksoi se janë 36 570 mësues në të gjithë Shqipërinë që do të përfitojnë nga kjo rritje e konsiderueshme./ (20 prill)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.