Rama: Kompanitë hungareze janë në Shqipëri si në shtëpinë e tyre
Kryeministri Edi Rama deklaroi të premten se “Shqipëria është një treg i hapur, mikpritës dhe kompanitë hungareze janë në shtëpitë e tyre”.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, i cili zhvilloi të preten një vizitë zyrtare në Tiranë, Rama solli në vëmendje suksesin e investimeve hungareze në Shqipëri.
“Ne kemi dy realitete shumë domethënëse, realitetin e investimit në telekomunikacion nga kompania 4IG, e cila jo vetëm që ka ardhur në Shqipëri si një ofruese cilësore e një shërbimi që sot është kaq i lidhur me jetën e përditshme të të gjithë qytetarëve 24 orë, por po bën në Shqipëri një ristrukturim aq shumë të pritur dhe të nevojshëm të gjithë tregut të telekomunikacionit me krijimin e një kompanie që është fryt i bashkimit të dy kompanive të tjera. Kjo do të përmirësojë cilësisht ofertën, do ta shëndoshë tregun dhe patjetër që do të sjellë edhe impakt të rëndësishëm në ekonomi”, tha Rama.
Realiteti tjetër, sipas Ramëst, është ai në sektorin bankar i OTP Bank.
“Një bankë e mirënjohur hungareze që tani është shtrirë në disa vende dhe ka ardhur të ofrojë edhe në Shqipëri shërbimet e veta me një ambicie të qartë por edhe me një qasje shumë të mirëseardhur për ne. Nuk është një bankë që është këtu për të mbajtur depozita me paratë e shqiptarëve dhe pastaj për të çuar fitimet në Hungari, por është një bankë e orientuar në mbështetjen e kompanive dhe biznesit këtu dhe për këtë na vjen shumë mirë”, tha Rama.
Kryeministri informoi se në parlament është në proces dhe do të përcaktohen së shpejti në ligjin e tokës bujqësore edhe hapësirat për energjinë diellore.
“Kemi investime në sektorin bankar, komunikacion dhe energji. Mungon sipas nesh shtylla e katërt për investimet në turizëm. Shpresojmë që kompanitë hungareze të kuptojnë se këtu është një treg i hapur, mikpritës dhe ku kompanitë hungareze janë në shtëpitë e tyre”, shtoi Rama.
Ai vlerësoi se kompanitë hungareze nuk sjellin thjesht para, por nga ana tjetër sjellin edhe kulturë pune dhe një respekt për vendin./ (16 qershor)
Orban fton kompanitë shqiptare të investojnë në Hungari
“Kjo është një rrugë me dy kalime. Unë i kërkova kryeministrit që të vinin edhe investitorë shqiptarë në Hungari. Do të donim të shikonim në Hungari veprimtari të bizneseve shqiptare të vogla, të mesme apo të mëdha, kjo nuk ka rëndësi’’, deklaroi Orban.
“Ne kemi një politikë që mbështet investimet e huaja dhe jemi të gatshëm të mbështesim investues shqiptarë që duan të investojnë në Hungari. Kam shpresë që brenda një kohe të shkurtër do të kemi investues shqiptarë që vijnë në Hungari”, shtoi ai./ (16 qershor)
Nikolla i kërkon kryeministrit Orban rishikimin e qëndrimit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla priti të premten kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orbán, dhe delegacionin qeveritar, cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë.
Pasi i uroi mirëseardhjen në parlamentin e Shqipërisë, Nikolla e falënderoi kryeministrin Orbán për kontributin e tij në forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Bashkëpunimi politik mes Shqipërisë dhe Hungarisë është i ngushtë, mbështetës e miqësor. Ne jemi mirënjohës për mbështetjen e zëshme të Hungarisë ndaj perspektivës së integrimit të Shqipërisë në BE si edhe për mbështetjen proaktive dhe të përkushtuar në zhvillimin dhe integrimin evriopian të rajonit, nisur nga vizioni se BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor po aq sa shtetet e këtij rajoni kanë nevojë për BE-në”, theksoi Nikolla.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla nënvizoi gjithashtu se vendet tona kanë potenciale për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik në sektorë kyç si infrastruktura, transporti, bujqësia, turizmi, digjitalizimi dhe siguria kibernetike, energjia e rinovueshme, sistemi hekurudhor etj.
Duke shprehur keqardhje për kundërshtimin e Hungarisë ndaj fillimit të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Nikolla i kërkoi kryeministrit Orban rishikimin e këtij qëndrimi.
Kryeministri Viktor Orban falënderoi Nikollën për pritjen, vlerësoi lart bashkëpunimin mes dy vendeve, vuri në dukje kontributin e marrëdhënieve politike në nxitjen e bashkëpunimit ekonomik e tregtar mes Shqipërisë dhe Hungarisë, ftoi kompanitë shqiptare të investojnë në Hungari, vlerësoi arritjet e Shqipërisë në procesin e integrimit dhe potencialin e Shqipërisë dhe të rajonit si një rezervë e madhe për modernizimin dhe rritjen ekonomike të BE-së, rezervë e cila duhet shfrytëzuar nëpërmjet përshpejtimit të ritmeve të zgjerimit.
Nikolla dhe kryeministri Orbán diskutuan edhe mbi bashkëpunimin mes dy vendeve dhe mbështetjen reciproke në organizatat dhe forumet shumëpalëshe./ (16 qershor)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.