BE vazhdon të mbështesë Shqipërinë në forcimin e administratës së saj publike, një shtyllë e rëndësishme në rrugëtimin e anëtarësimit të vendit në BE.

Andre Rizzo, Shef i Seksionit Politik në Delegacionin e BE-së në Shqipëri mori pjesë në paraqitjen e raportit të monitorimit të OECD/SIGMA ku të pranishëm ishin Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe zyrtarë të lartë të qeverisë dhe administratës.

Në aktivitet u diskutua progresi dhe reformat e ardhshme në ekselencën e shërbimit civil dhe qeverisjen digjitale.

“Reforma e administratës publike është në qendër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Një sektor publik modern, profesional dhe transparent nuk është vetëm një kërkesë teknike, por është një domosdoshmëri themelore për një qeverisje të mire”, u shpreh Rizzo.

Ai vuri në dukje se BE do të vazhdojë të qëndrojë pranë Shqipërisë, duke ofruar ekspertizë dhe mbështetje thelbësore për të ndihmuar në zbatimin e këtyre reformave.

Mbështetja e Bashkimit Evropian përfshin partneritetin e vazhdueshëm me OECD/SIGMA, programin ‘BE për Qeverisje të Mirë’ dhe mbështetje të re për digjitalizimin. (5 shkurt)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.