Shkupi – Komisioni Rregullator për Energji, Shërbime të Ujit dhe Shërbime të Menaxhimit të Mbetjeve Komunale (KRE) dhe Ministria e Energjisë, Minierave dhe Resurseve Minerale (MEMRM) të Maqedonisë së Veriut kanë informuar Komunitetin Evropian të Energjisë (KEE) se në disa vende të Evropës Juglindore janë regjistruar çmime të pazakonta të larta në tregun e energjisë elektrike.
Kryetari i KRE, Marko Bislimoski dhe ministrja e Energjisë, Minierave dhe Resurseve Minerale, Sanja Bozhinovska, me një letër zyrtare drejtuar drejtorit të KEE, Artur Lorkovski kërkojnë të mobilizohet një ekip që do të bëjë një analizë të hollësishme dhe do të skanojë arsyet për të cilat është regjistruar një çrregullim i madh i çmimit të energjisë elektrike nga një vend në tjetrin.
– Duke filluar nga fundi i qershorit të vitit 2024, dhe veçanërisht në korrik dhe gusht, çmimet e energjisë elektrike në rajonin e Evropës Juglindore janë ndjeshëm më të larta se çmimet në pjesën tjetër të Evropës. Çmimet mesatare në tregjet “ditë më parë” në korrik 2024 variojnë nga rreth 159 EUR/MWh në Shqipëri, ndërsa në Francë janë rreth 46 EUR/MWh. Përjashtimet më të dukshme të çmimeve në këtë periudhë janë regjistruar në Shqipëri dhe Rumani, si dhe në vende të tjera të rajonit, thuhet në letrën dërguar KEE.
Përveç KRE dhe MEMRM, edhe ministritë përkatëse nga Greqia, Bullgaria dhe Rumania kanë alarmuar Komunitetin e Energjisë për këtë situatë. (12 shtator)