Çmimet e konsumit në Shqipëri u rritën në një rekord të ri në qershor duke vështirësuar jetesën, kryesisht për klasën e mesme dhe shtresat në nevojë. Inflacioni shënoi rritje në prill, maj dhe qershor, respektivisht në 6,2%, 6,7% dhe 7,4 %.
Kriza energjetike në tregjet globale, pas agresionit rus në Ukrainë, ka prekur edhe rritjen ekonomike të Shqipërisë.
Sinjalet dëshmojnë se ndërprerjet në zinxhirin e furnizimit, në qarkullimin e produkteve nga prodhuesi te konsumatori, për shkak të pandemisë, pasuar nga kriza energjetike që nisi që prej tremujorit të tretë të vitit të kaluar, kur kërkesa për energji u rrit, ndërsa bota po dilte nga pandemia e COVID-19, janë shoqëruar me presione për rritje të gjithanshme të çmimeve.
Dinamika e inflacionit në këta tre muaj pasqyroi kryesisht rritjen jo vetëm të çmimeve të ushqimeve dhe të energjisë në tregjet ndërkombëtare, por edhe të lëndëve të para.
Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj thotë se Shqipëria është përfshirë në një valë inflacioniste, por ajo siguron se vendi nuk do të preket nga stagflacioni.
Këtë, ajo e mbështet në faktin se Prodhimi i Brendshëm Bruto (GDP) u rrit me pothuaj 6% në tremujorin e parë të vitit dhe te fakti se rritja ekonomike u diktua nga zgjerimi i konsumit dhe investimeve private si Edhe nga rritja e eksporteve të mallrave e shërbimeve.
“Rritja ekonomike gjatë vitit të kaluar ishte 8,54 %. Ndërsa ekonomia e vendit u rrit me 5,97 % për tremujorin e parë të këtij viti. Rritja ekonomike është konstatuar në të gjithë sektorët e ekonomisë, ndërkohë që është shoqëruar me rritje të punësimit, rritje të eksporteve, importeve dhe kreditimit. Sot niveli i borxhit është më i ulët se sa një vit më parë, pasi i gjithë borxhi u investua në projekte zhvillimi, të cilat sollën rritje ekonomike. Me rishikimin e buxhetit 2022, u vendos të shkurtoheshin shpenzimet joprioritare, shpenzimet operative dhe shpenzime kapitale, të cilat mund të shtyheshin për vitin e ardhshëm”, thotë Ibrahimaj.
Ajo që Ibrahimaj pret për periudhën në vijim është një ngadalësim i ritmit të rritjes ekonomike.
Edhe ekspertët e ekonomisë pranojnë se stagflacioni që ka prekur tashmë Europën, do të ndikojë në masë të kontrolluar edhe ekonominë shqiptare, por nuk besojnë se vendi do të shkojë në stagflacion.
Ecuria e ekonomisë në periudhën vijuese mbetet subjekt i sfidave serioze. Rritja e çmimeve në tregjet botërore, shtrëngimi i kushteve financiare dhe ngadalësimi i pritur i ekonomisë në Eurozonë, si dhe frenimi i fuqisë blerëse të familjeve, do të kenë një ndikim me kah të kundërt mbi ecurinë e inflacionit dhe të rritjes ekonomike në vend. (14 korrik 2022)
Paketë tjetër mbështetëse për qytetarët dhe biznesin
Për të zbutur efektet e kësaj situate, kryesisht te shtresat në nevojë, qeveria shqiptare ndërmori një paketë masash që në muajin mars, ku pika kryesore ishte vendimi për të mbajtur të pandryshuar çmimin e energjisë elektrike, jo vetëm për konsumatorët familjarë, por edhe për bizneset e vogla dhe ato të mesme.
Situata e bën të nevojshme vijimin e masave mbështetëse të qeverisë dhe pak ditë më parë ajo tha se po rishikonte buxheti për të dalë me një paketë tjetër mbështetëse.
“Ne jemi në procesin e rishikimit të buxhetit dhe të analizës së të gjitha të dhënave sa i përket konsumit apo të ardhurave të disponueshme të familjeve. Në përfundim të procesit të rishikimit të buxhetit, do të dalim me paketën që pritet të vijojë për atë kategori biznesesh dhe individësh që realisht kanë më shumë nevojë për mbështetje”, tha Ibrahimaj. (13 korrik 2022)
Paketa e parë mbështetëse
Në paketën e parë mbështetëse, qeveria subvencionoi direkt me 28 miliardë lekë Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, duke bërë që energjia e shpenzuar të faturohet me çmimin e pandryshuar 9.5 lekë për kilovat. Çdo kosto shtesë e çmimit të rritur nga importi, po përballohet nga qeveria.
Paketa e parë, të cilën qeveria e pagëzoi me emrin “Paketa e rezistencës sociale” përmbante shtatë pika.
Konkretisht, qeveria akordoi 3.3 miliardë lekë, për indeksimin e pensioneve, nga ky përfitojnë 673 542 pensionistë. Po ashtu, vendosi kompensimin e rritjes së çmimeve të shportës për tre muaj me nga 3 000 lekë për pensionistët që marrin më pak sesa gjysma e pagës minimale, pensionistët e invaliditetit, pensionistët që jetojnë vetëm, personat me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër, të gjitha familjet me ndihmë ekonomike. Nga kjo masë përfitojnë 576 000 qytetarë. Një tjetër pikë ishte mbështetja për fermerët me naftë pa taksa e një fond prej 1,4 miliardë lekësh. Nga ana tjetër, kompanitë e transportit publik u subvencionuan me 500 milionë lekë për të mbajtur të pandryshuar çmimin për të gjithë qytetarët që përdorin linjat urbane, qytetës dhe ndërqytetës.
Banka e Shqipërisë rrit normën bazë të interesit
Banka e Shqipërisë vlerëson se presionet inflacioniste vijojnë të ushqehen nga normat në tregjet botërore, të cilat janë në nivelet më të larta të katër dekadave të fundit si dhe nga kërkesa e qëndrueshme për mallra e shërbime në vend.
Kjo e nxiti atë të rrisë normat e interesit për të dytën herë brenda një harku kohor 4-mujor, kur që nga viti 2011 po ndiqte një politikë stimuli monetar, duke mbajtur norma të ulëta interesi. Rritja e çmimeve i diktoi asaj të orientohet drejt një politike më shtrënguese.
Këshilli Mbikëqyrës në mbledhjen e zhvilluar më 6 korrik vendosi të rrisë me 0,25 % normën bazë të interesit, duke e çuar atë nga niveli 1% në nivelin 1,25%, të rrisë me 0,35 % normën e interesit të kredisë njëditore duke e çuar atë nga niveli 1,9% në nivelin 2,25%, si dhe të rrisë me 0,15 % normën e interesit të depozitës njëditore, duke e çuar atë nga niveli 0,1% në nivelin 0,25%.
Objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë është ruajtja e stabilitetit të çmimeve dhe instrumenti kryesor për të arritur këtë objektiv është norma bazë e interesit. Përmes rritjes së normës, kjo bankë përpiqet të nxisë kursimet drejt bankave.
Banka e Shqipërisë thotë se inflacioni do të vijojë të mbetet i lartë në tremujorët në vijim. Projeksionet e skenarit bazë sugjerojnë se norma e inflacionit do të kulmojë jo shumë larg nivelit aktual në tremujorin e tretë të vitit aktual dhe do të vijë në rënie graduale gjatë tremujorëve në vijim. Kjo trajektore pritet ta sjellë inflacionin në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024./ (12 korrik 2022)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.