Rruga e re Leskovik-Ersekë në juglindje të Shqipërisë përgjysmon kohën e udhëtimit nga 3 orë, në vetëm 1 orë e gjysmë mes këtyre destinacioneve ndërsa u vjen në ndihmë jo vetëm banorëve të zonës por edhe vizitorëve që shtohen përditë.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë theksoi sot se, kjo rrugë e financuar nga Bashkimi Evropian dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ndihmon në rritjen e turizmit në zonën e juglindjes së Shqipërisë.
Rruga e re kushton rreth 6 milionë euro, financuar nga qeveria shqiptare dhe BERZH.
“Kjo rrugë që më parë u merrte banorëve që jetojnë këtu 3 orë për të vajtur në Leskovik është shkurtuar tashmë në 1 orë e gjysmë. Ky kursim prej 1 orë e gjysmë bën shumë të mundur dhe më të lehtë lidhjen dhe afrimin e këtyre fshatrave me pjesën tjetër të Shqipërisë”, u shpreh Hubert Perr, kreu i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së.
Në një takim me kryetarin e bashkisë Ersekë, Erion Isai u diskutua ndikimi i rrugës në jetën e përditshme të banorëve të zonës, si dhe efekti i saj në turizëm dhe biznes.
Biznesmeni lokal, Leonard Konica u shpreh se, “rikonstruksioni i rrugës së re Leskovik-Ersekë ka dhënë një impakt shumë pozitiv në rritjen e lëvizjes së turizmit, sidomos dhe për njerëzit që jetojnë në këtë krahinë”.
Kjo rrugë shkurton distancat e udhëtimit dhe është një dritare më shumë për zhvillimin e turizmit në Shqipëri.
Rruga është e gjatë 42,67 kilometra, gjerësia e asfaltit ekzistues ishte rreth 4 metra, ndërsa asfalti i ri është 5 metra në të gjithë gjatësinë e rrugës.
Rikonstruksioni i rrugës Ersekë–Leskovik synon përmirësimin e ndërlidhjes mes rajoneve dhe lehtësimin e lëvizshmërisë drejt potencialeve turistike të rajonit të Korçës dhe Gjirokastrës, duke sjellë zgjerimin e ofertës turistike të rajonit dhe rritje të mundësive për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm rajonal. (8 janar)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.
