Chişinău – Ministrja rumune e punëve të jashtme, Oana Ţoiu, theksoi se Rumania mbështet në mënyrë aktive integrimin evropian të Republikës së Moldavisë si përmes demersave politike dhe diplomatike në nivelin e Bashkimit Evropian, ashtu edhe përmes asistencës konkrete të ofruar institucioneve nga Chişinău.
Ajo tregoi se përparimet e arritura nga Republika e Moldavisë në vitin 2025, përfshirë organizimin e zgjedhjeve të lira dhe miratimin e reformave të nevojshme për integrimin evropian, janë të njohura në Bruksel, në vlerësimet e Komisionit Evropian.
Njëkohësisht, Oana Ţoiu vuri në dukje faktin se Rumania dhe Republika e Moldavisë ndodhen në qendër të vëmendjes së Bashkimit Evropian, si rezultat i angazhimit pro-evropian dhe i reziliencës së treguar nga qytetarët dhe institucionet përballë kërcënimeve dhe ndërhyrjeve të jashtme. Ministrja rumune përsëriti se Bukureshti do të vazhdojë të jetë një zë i fuqishëm për përshpejtimin e rrugëtimit evropian të Republikës së Moldavisë.
Nga ana e tij, ministri i punëve të jashtme të Republikës së Moldavisë, Mihai Popşoi, deklaroi se Rumania është “me shumë diferencë shteti më i afërt” dhe mbështetësi kryesor i Republikës së Moldavisë në procesin e integrimit evropian. Ai vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme dhe të painteres të Rumanisë, duke pohuar se kjo kontribuon drejtpërdrejt në konsolidimin e demokracisë, sigurisë dhe reziliencës së Republikës së Moldavisë.
Mihai Popşoi theksoi se mbështetja e Rumanisë ndihet si në nivel institucional, ashtu edhe në jetën e përditshme të qytetarëve, dhe riafirmoi angazhimin e autoriteteve nga Chişinău për të vazhduar reformat e nevojshme për integrimin evropian. Dy ministrat ranë dakord për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë në periudhën në vijim, me qëllim avancimin e objektivave evropiane të Republikës së Moldavisë.(22.12.2025)
go to the original language article
