Nënshkruhet marrëveshja e njohjes së kualifikimeve profesionale
Katër marrëveshje lëvizshmërie u nënshkruan gjatë Samitit të Procesit të Berlinit më 16 tetor, në Tiranë, ku u njohën katër kualifikime profesionale dhe lehtësimi i lëvizjes së tyre brenda rajonit për infermierët, mamitë, kirurgët veterinarë dhe farmacistët.
Vendet e Ballkanit Perëndimor nënshkruan në Tiranë marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë të kualifikimeve profesionale.
Marrëveshja u nënshkrua nga kryeministrat e Ballkanit Perëndimor, kryeministrit shqiptar, Edi Rama, atij të Kosovës, Albin Kurti, kryeministrit malazez në detyrë, Dritan Abazoviç, atij të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, kryeministres së Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo dhe kryeministres serbe, Ana Brnabiç.
Marrëveshja parashikon njohjen e profesioneve duke lehtësuar lëvizjen e profesionistëve dhe shfrytëzimin e potencialit të madh të burimeve njerëzore të rajonit./ (19 tetor)
Scholz: Në Tiranë morëm vendime konkrete
Kancelari gjerman, Olaf Scholz njoftoi se janë katër marrëveshje specifike për të cilat u ra dakord në Tiranë. Ai u ndal fillimisht tek ndryshimet klimatike që prekin gjithashtu dhe veçanërisht vendet e Ballkanit Perëndimor.
”Me një partneritet rajonal të klimës midis Gjermanisë dhe Ballkanit Perëndimor, ne duam të mbështesim në mënyrë specifike luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe përdorimin e energjive të rinovueshme. Gjermania do ta bashkëfinancojë këtë me një total prej 1,5 miliardë eurosh deri në vitin 2030”, tha Scholz.
”Kjo vlen edhe për tregtinë e vogël kufitare. Tre marrëveshjet e lëvizshmërisë që u nënshkruan në Berlin nëntorin e kaluar tashmë janë ratifikuar nga pothuajse të gjitha shtetet dhe tani janë të zbatueshme. Sot u nënshkrua një marrëveshje shtesë (e katërt) e mobilitetit, me të cilën njihen reciprokisht katër kualifikime profesionale shtesë”, tha Scholz.
Ndërkaq, Gjermania po mbështet zyrën rajonale të bashkëpunimit rinor “RAIKO” me 1,2 milionë euro dhe fondin e ri të kulturës rinore me 300 000 euro.
“Qeveria Federale jep 73 milionë euro shtesë për një projekt të ri “Programi i klimës në Shqipëri”, i cili synon të promovojë integrimin e energjive të rinovueshme, informoi kancelari Scholz. (19 tetor)
Shqipëria dhe Franca nënshkruajnë katër marrëveshje bashkëpunimi
Shqipëria dhe Franca nënshkruan katër marrëveshje bashkëpunimi në fusha të ndryshme në kuadër të vizitës zyrtare të presidentit Emmanuel Macron në Tiranë.
Marrëveshjet u nënshkruan në praninë e presidentit Macron dhe kryeministrit Edi Rama dhe shkojnë në drejtim të forcimit të marrëdhënieve, pesë vjet pas nënshkrimit të Deklaratës së Partneritetit Strategjik midis dy vendeve.
Marrëveshjet janë udhërrëfyes për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, memorandum i mirëkuptimit për bashkëpunimin e ndërsjellë midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës dhe Agjencisë Franceze të Zhvillimit (AFD), marrëveshje bashkëpunimi në fushën e kulturës dhe deklaratë qëllimi mes ministrive të Brendshme të dy vendeve./ (19 tetor)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.
