Von der Leyen: Plani i BE ka potencialin të dyfishojë madhësinë e ekonomive të Ballkanit Perëndimor
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen theksoi sot në konferencën për mediet pas përfundimit të samitit të Procesit të Berlinit mbajtur në Tiranë se ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të sillen edhe më afër ekonomive të Bashkimit Evropian dhe duhet të përshpejtohen reformat e pranimit.
“Për këtë arsye, paraqita para liderëve planin e BE për rritjen e Ballkanit Perëndimor. Plani i rritjes ka potencialin, nëse zbatohet, të dyfishojë madhësinë e ekonomive të Ballkanit Perëndimor brenda kësaj dekade”, theksoi ajo.
Von der Leyen informoi se plani i rritjes së Ballkanit Perëndimor ka 4 shtylla, të cilat janë hapja e tregut të përbashkët të BE për kompanitë nga Ballkani Perëndimor në fusha të rëndësishme si bashkëpunimi doganor, tregtia online, pagesat elektronike, energjetikë, komunikacion, roaming.
Së dyti, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të ndërtojnë tregun e tyre rajonal.
Së treti, janë reformat.
“Nëse ne do hapim tregun e përbashkët ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, ato duhet të jenë lojtarë të të njëjtit nivel, të kenë të njëjtat rregulla dhe standarde. Kjo do të thotë që reformat janë të nevojshme dhe po ashtu reformat do të sjellin Ballkanin Perëndimor më afër anëtarësimit. Këto reforma do e bëjnë Ballkanin Perëndimor akoma dhe më shumë tërheqës për investitorët europianë dhe do i bëjë ekonomitë tona respektive të konvergojnë, që është shumë e rëndësishme”, theksoi ajo.
“Shtylla e katërt e planit është që nëse realizohen përpjekjet për reforma, ato do të shoqërohen me rritje të investimeve të BE. Me fjalë të tjera ne kemi propozuar një paketë prej 6 miliardë eurosh investime e përbërë nga 2 miliardë në grante dhe 4 miliardë në hua. E njëjta logjikë do të ndiqet edhe për paketat tona për shtetet anëtare, financimet do të lëvrohen me kryerjen e reformave. Funksionon mirë në BE, do të funksionojë edhe për Ballkanin Perëndimor”, përfundoi von der Leyen./ (16 tetor)
Rama: Status i vëzhguesit për vendet në tranzit drejt integrimit në BE
Kryeministri Edi Rama propozoi gjatë punimeve të Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë, vendosjen e statusit të vëzhguesit për vendet që janë në tranzit nga çelja e negociatave, deri tek anëtarësimi i plotë.
Rama vuri në dukje para liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe udhëheqësve të BE-së në famit se “duhet të eksplorojmë rrugë të reja për të ngushtuar hendeqet ekzistuese dhe për të siguruar një ekzistencë të harmonishme të Europës”.
“A do të ishte më pragmatike që të riformësojmë rrugëtimin nga bisedimet e anëtarësimit deri në anëtarësim dhe të mos nxitojmë duke vendosur afate anëtarësimi, të cilat mund as mos të dakordësohen apo t’u përmbahen 27 anëtarëve, por edhe të kundërshtojnë parimet meritës së integrimit të plotë të secilit prej vendeve? A do të ishte më e drejtë që të trajtohej inercia e kësaj ndasie duke futur statusin e vëzhguesit të vendeve që janë në tranzit nga çelja e negociatave deri tek anëtarësimi i plotë?” – tha Rama. (16 tetor)
Përurohet Kolegji i Evropës në Tiranë
Në ditën e Samitit të Liderëve të Procesit të Berlinit 2023, hapi dyert në Tiranë, Kolegji i Europian i Bryzhit me të parin kampus jashtë vendeve të Bashkimit Europian, i cili, jo vetëm ngre në një tjetër nivel sfidën për ndërkombëtarizimin e universiteteve shqiptare dhe hap një horizont të ri edukimi për të rinjtë shqiptarë dhe jo vetëm, por krijon edhe mundësinë për një mësim më të thelluar për vetë Bashkimin Europian dhe rrugëtimin drejt tij.
Zyra e re përfaqësuese e Kolegjit të Europës do të jetë e vendosur në mjediset e reja të Piramidës, ish-muzeut të diktatorit Hoxha, aktualisht i rivitalizuar si qendra më e madhe e teknologjisë dhe inovacionit në rajon.
Rektorja e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini tha se do jetë një master artesh, si në të gjitha degët e Kolegjit, me diplomë të akredituar nga autoritetet holandeze, siç është në Bryzh dhe në Natolin.
“Ky kolegj do të sjellë studentë nga i gjithë vendi, nga gjithë rajoni e Europa e më tej dhe do të studiojnë si në të gjitha kolegjet e tjera në vende të Evropës” tha Mogherini. (16 tetor)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.
