Raportuesi i Përhershëm i Parlamentit Europian për Shqipërinë, Andreas Schieder shprehu sot bindjen se Shqipëria mund të përmbyllë të gjithë grup-kapitujt e negociatave për integrim deri në vitin 2027.
Në një konferencë për mediet, në ambientet e Këshillit të Europës në Tiranë, Schieder bëri të ditur se në nëntor pritet të hapet kapitulli i fundit i negociatave me BE-në, që do të thotë që Shqipëria do të jetë duke negociuar të gjithë kapitujt.
“Kjo do të thotë që viti 2026 do të jetë viti që kapitujt mbyllen njëri pas tjetrit. Është një proces shumë strikt. Komisioni Europian bën vlerësimin dhe Këshilli dhe Parlamenti Europian bën miratimin. Ne shikojmë nëse janë përmbushur kushtet apo jo”, tha ai.
Schieder shprehu besimin se shumica e kapitujve do të mbyllen vitin e ardhshëm dhe në vitin 2027 do të jenë mbyllur tërësisht.
Por sipas tij, është akoma më e rëndësishme që të zbatohen ligjet. “Mundësitë janë aty nëse bëhen gjërat që duhen bërë. Shqipëria është një nga vendet në mes të Europës, turizmi tregon se shumë qytetarë të BE-së vijnë e shikojnë si është jeta në Shqipëri, sa moderne është Shqipëria, ndaj them se ka mundësi”, shtoi ai.
Schieder theksoi se për t’u futur në sistemin europian, sfidat me të cilat përballet vendi përfshijnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të pasurit e një sistemi gjyqësor profesional.
Në këtë drejtim, ai vlerësoi se procesi po bëhet gjithmonë e më mirë dhe duket që Shqipëria po e merr shumë seriozisht këtë proces duke hetuar në mënyrë të thelluar këdo, pavarësisht nëse i përket qeverisë, opozitës apo janë biznesmenë.
Schieder foli për Reformën në Drejtësi dhe punën e SPAK, ndërsa theksoi se Shqipëria ka zgjedhur mënyrën më radikale për ta bërë këtë reformë.
“Kjo krijon shumë diskutime politike, por standardet europiane do të thonë që sistemi gjyqësor të jetë për prokurorët, gjyqtarët, juristët jo politikanët. Politika nuk lejohet të hyjë në këtë proces”, shtoi Schieder.
Raportuesi i Përhershëm i Parlamentit Europian për Shqipërinë, Andreas Schieder ishte pjesë e takimit të 20-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE që u mbajt përgjatë dy ditëve në Tiranë.
Në deklaratën përfundimtare të takimit u vendos theksin te reformat që ende janë shumë të nevojshme për ta çuar Shqipërinë edhe më pranë BE-së, ndërsa u theksua pritshmëria për të hapur grup-kapitullin e fundit të mbetur përpara përfundimit të vitit.
Shqipëria ka hapur 5 nga 6 grup-kapitujt e negociatave me Bashkimin Evropian ndërsa synon mbylljen e tyre brenda vitit 2027 dhe anëtarësimin në vitin 2030. (31 tetor)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.
