Integrimi i vendeve të rajonit përparësi për Presidencen Çeke
Tirana mirëpriti Ministerialin BE-Ballkani Perëndimor për Punët e Brendshme dhe Drejtësinë.
Republika e Çekisë, në cilësinë e Presidencës së radhës të BE-së, zgjodhi Tiranën për këtë forum të rëndësishëm, që rikonfirmon mbështetjen për vendet e rajonit në rrugën e pakthyeshme drejt anëtarësimit të plotë në Union.
Në këtë takim vjetor moën pjesë Komisioneri i BE për Drejtësinë, Didier Reynders, ministri çek i Drejtësisë, Pavel Blažek, Komisionerja e BE për Punët e Brendshme, Ylva Johansson, ministri i Brendshëm çek, Vit Rakusan si edhe ministrat e Brendshëm të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës.
Ishin gjithashtu edhe përfaqësues të lartë të EUROPOL, FRONTEX, Koordinatori i Antiterrorizmit i BE si dhe përfaqësues të Suedisë dhe Spanjës.
Ministri shqiptar i Drejtësisë, Ulsi Manja deklaroi se në këtë ministerial u vendos një tjetër gur në themelin e urës së integrimit mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor.
Shqipëria theksoi vendosmërinë që të mbajë në nivele të larta ritmin e reformave dhe në veçanti atë të Drejtësisë, si çelësin që hap dyert e panumërta drejt integrimit.
”Mbështetja jonë do të jetë e pakursyer për institucionet e drejtësisë në luftën totale që i kemi shpallur korrupsionit dhe krimit të organizuar, rezultatet e së cilës tashmë gjenden edhe në raportin e KE-së për Shqipërinë”, tha Manja.
Shqipëria konsiderohet një partnere e besueshme në luftën kundër krimit transnacional dhe, referuar kësaj, Manja theksoi angazhimin për të asistuar prokurorin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe ekipin e ngritur në kuadër të EUROJUST për hetimin e krimeve në shkelje të së drejtës ndërkombëtare./ (7 nëntor 2022)
Shteti i së drejtës vlerë themelore e BE-së
Komisioneri për Drejtësinë i BE-së, Didier Reynders deklaroi se procesi i integrimit në BE nis me pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe përfundon me të.
Gjatë këtij ministeriali, u diskutuan çështje të rëndësishme si shteti i së drejtës, çështja e pavarësisë së gjyqësorit dhe aksionet e ndërmarra në reagim të agresionit rus kundër Ukrainës.
Zyrtari i lartë i BE-së theksoi se shteti i së drejtës është një vlerë themelore e BE-së dhe se ai luan një rol mjaft qendror dhe praktik edhe në procesin e zgjerimit të BE-së.
“Mbrojtja e të drejtave të individëve, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, sigurimi i një medie pluraliste dhe të lirë si ekuilibrat funksionale të institucioneve demokratike nuk do të ishin të mundura pa patur një gjyqësor të pavarur”, deklaroi Reunders.
Ai vlerësoi punën e madhe që është bërë nga partnerët për të harmonizuar kuadrot e tyre ligjore me kërkesat e legjislacionit të BE-së dhe standardet evropiane për pavarësinë gjyqësore.
Ministri i çek Drejtësisë, Pavel Blažek theksoi rëndësinë e aksionit të përbashkët në përgjigje të agresionit rus kundër Ukrainës. Sipas tij, lufta e Rusisë ndaj Ukrainës kërcënon Evropën dhe të gjithë autorët e krimeve duhet të japin llogari.
Gjithashtu Blazek nënvizoi se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është përparësi për Presidencën Çeke./ (4 nëntor 2022)
BE 30 milionë euro për luftën kundër trafikimit të klandestinëve
Për fushën e migracionit, nëpërmjet IPA, Bashkimi Evropian do të financojë 30 milionë euro për të mbështetur luftën kundër trafikimit të klandestinëve.
Kjo u theksuar gjatë konferencës së përbashkët për median nga ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi, Komisionerja e BE për Punët e Brendshme, Ylva Johansson dhe ministri i Brendshëm çek, Vit Rakusan, pas përfundimit të punimeve të Ministerialit BE-Ballkani Perëndimor për Punët e Brendshme dhe Drejtësinë.
Çuçi veçoi dy çështje në lidhje me sfidate diskutuara gjatë ministerialit, sfidat me të cilat përballet vendi si pasojë e luftës së Rusisë në Ukrainë si dhe me luftën kundër migracionit për emigrantët që vijnë nga Azia dhe Afrika dhe kalojnë në kufirin e Ballkanit Perëndimor në mënyrë të jashtëligjshme, me synim vendet evropiane.
“Ka pasur një rritje të fluksit të migracionit që vjen nga Azia dhe Afrika. Vetëm duke bashkëpunuar mund t’i luftojmë këto fenomene negative”, theksoi Çuçi.
Komisionerja Johansson tha se “është trefishuar numri i migrantëve të parregullt në krahasim me një vit më parë”.
Për këtë çështje, Komisionerja e BE-së evidentoi tre prioritete, forcimin e bashkëpunimit me FRONTEX, linjëzimin e plotë me politikën e vizave të BE si dhe një bashkëpunim më të ngushtë për kthimin dhe ripranimin e tyre.
Ndërsa ministri i Brendshëm çek, Vit Rakusan tha se gjatë ministerialit u diskutua për krimin e organizuar që ndikon flukset e migrantëve, sidomos për sa i përket trafikimit të qenieve njerëzore./ (4 nëntor 2022)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.