Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato i dorëzoi sot Kryeministrit shqiptar Edi Rama, progresraportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë, i cili u bë publik ditën e djeshme.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Kryeministri, Gonzato u shpreh se raporti i këtij viti publikohet në një moment shumë të rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë në BE.
“Pesë nga gjashtë grup-kapitujt negociues tashmë janë hapur dhe po punohet për hapjen e grup-kapitullit të fundit. E gjithë kjo është arritur me një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe përgëzoj autoritetet shqiptare për këtë rezultat të shkëlqyer”, tha Gonzato.
Gonzato u shpreh se ky moment tashmë duhet të shfrytëzohet si një mundësi unike në procesin e negocimit, pasi po hyhet në një fazë vendimtare.
“Është një fazë ku do të testohet vullneti dhe aftësia e Shqipërisë për t’u afruar me legjislacionin e BE-së. Shqipëria ka bërë përparim të ndjeshëm në zbatimin e agjendës së reformave të BE-së, në kuadër të planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor duke përmbushur 21 masa reformuese ndërmjet dhjetorit 2024 dhe qershorit 2025. Një rezultat i shkëlqyer që bëri që Komisioni Evropian të disbursojnë 99.3 milionë euro për Shqipërinë, një tregues i prekshëm i angazhimit të BE-së për të stimuluar edhe më tej rimtin e reformave të shpejta në Shqipëri”, theksoi ai.
Gonzato nënvizoi faktin se Komisioni Evropian është gati të mbështesë Shqipërinë në çdo hap të synimit ambicioz për mbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në fund të 2027.
“Shqipëria duhet jo vetëm të ruajë, por të përshpejtojë ritmin e reformave, ndërkohë që përmbushja e piketave të ndërmjetme që janë hapa konkretë që shtetet anëtare i kanë përcaktuar si kërkesa themelore që çdo vend aspirant duhet të plotësojë”, vijoi Gonzato.
Lidhur me gjetjet e progresraportit për zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri, si polarizimi politik dhe dialogu mes palëve, Gonzato përcolli një mesazh për palët politike.
“Ky është një mesazh që e jap çdo ditë në bashkëbisedimet me deputetët. Kuvendi ka një rol absolutisht kyç për të luajtur dhe thirrja ime është që të kenë dëshirën dhe mundësinë që të japin kontribut në këtë proces reformash që do ta sjellë Shqipërinë në BE”, tha ai.
Ndërkaq, Kryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi sot se progresraporti i Komisionit Evropian thotë shumë gjëra, por mbi të gjitha thotë që Shqipëria është në rrugën e duhur për të përmbyllur teknikisht negociatat brenda 2027.
Kryeministri vuri në dukje se raporti i progresit është një gotë e mbushur përgjysmë.
“Ajo që ne kemi bërë gjithmonë dhe do të bëjmë përsëri është që duke marrë të gjithë energjinë e nevojshme nga gjysma plotë të fokusohemi me të gjithë energjinë e nevojshme tek gjysma bosh, në mënyrë që brenda 2027 ta përmbyllim këtë proces dhe në mënyrë që raporti i vitit 2027 të shkruajë: rekomandojmë anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, theksoi Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se krenar që tanimë askush nuk harron të thotë që Shqipëria është në pararojë të këtij procesi se bashku me Malin e Zi dhe që më në fund Shqipëria është shembulli pozitiv që iu jepet edhe të tjerëve që duan të bëhen pjesë e familjes evropiane. (5 nëntor)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.
