“Shqipëria me Holandën do të përgatisin së bashku një propozim se si duhet të artikulohet në terrenin e jetës reale evropiane, ideja e presidentit francez, Macron për Komunitetin e Ri Politik Evropian”, tha kryeministri Edi Rama në një konferencë për shtyp me homologun e tij holandez Mark Rutte, në Holandë.
Nismë shqiptaro-holandeze për integrimin
Kryeministri i Holandës, Mark Rutte propozoi në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama një nismë shqiptaro-holandeze përmes së cilës të drejtohej procesi i integrimit evropian. Rutte tha se kjo duhet të jetë në nivele të larta.
Ai theksoi se
“duhet të kemi një nismë të përbashkët shqiptaro-holandeze se si ta drejtojmë procesin, sepse përgjithësisht deri tani ka qenë ide franceze dhe është debatuar për orë të tëra në Këshill, por nuk është debatuar askund tjetër”.
Rama mbështeti plotësisht propozimin e Rutte duke thënë se Shqipëria është plotësisht përkrah idesë së Komunitetit të Ri Politik Europian, nismë kjo e qeverisë franceze.
Për sa i përket ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut nëse nuk hiqet vetoja bullgare, Rama deklaroi se shpresonte që qeveria dhe parlamenti i Maqedonisë së Veriut t’i thonë “po” propozimit francez, që synon heqjen e vetos bullgare për nisjen e negociatave. Kryeministri i Holandës, Mark Rutte deklaroi se Ballkani Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, po punojnë fort për t’u bërë pjesë e Evropës.
Kryeministri holandez theksoi se dhënia e një date për tryezën e parë ndërqeveritare do të ishte edhe një shpërblim për qeverinë shqiptare të Edi Ramës, për reformat e ndërmarra.
Holanda vlerëson “Ballkanin e Hapur”
Për nismën “Ballkani i Hapur”, kryeministri Edi Rama deklaroi se “Ballkani i Hapur” ka të bëjë edhe me krijimin brenda rajonit të një hapësire funksionale të BE-së, me katër liritë funksionale të lëvizjes së njerëzve, kapitalit, mallrave dhe shërbimeve, që është një hapësirë paqeje”.
Rama tha se “Ballkani i Hapur” ka ndihmuar për të nxitur Serbinë të bëhet pjesë dhe të harmonizohet me sanksionet ndaj Rusisë. Rutte theksoi se
“ideja është për të ecur në një zonë të lirë tregtare midis vendeve dhe kjo do të ndihmojë në mënyrë të jashtëzakonshme kur të çelen kapitujt e negociatave, ç’ka nënkupton që përshpejton procesin e anëtarësimit dhe ndihmon për t’u siguruar që tensionet të mos bëhen të papërballueshme”.
Çështja e zonave detare me Greqinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë
Gjatë vizitës në Holandë kryeministri Edi Rama zhvilloi edhe një takim në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, me zëvendëspresidentin Kirill Gevorgian. Rama tha se “Shqipëria i qëndron idesë së paraqitja e çështjes së zonave detare me Greqinë përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për t’u zgjidhur në bazë të parimeve ligjore, i shërben interesit të të dy palëve”.
Zbulim i rëndësishëm në Shpirag
Kryeministri Edi Rama zhvilloi edhe një bashkëbisedim me përfaqësues të biznesit holandez që operojnë aktualisht në Shqipëri, si edhe me investitorë të tjerë, të interesuar për të zgjeruar aktivitetin e tyre në vendin tonë. Rama deklaroi se kompania “Shell”, që operon në Shqipëri, është në fazën e një zbulimi shumë të rëndësishëm të gazit dhe naftës, që jo vetëm do të ndikojë jashtë mase të ardhmen e vendit, por do të luajë rol edhe në të ardhmen energjetike të Evropës. Ai ftoi sipërmarrësit holandezë të investojnë në Shqipëri, ndërsa i informoi se 95% e shërbimeve publike ka kaluar online duke ulur kështu nivelin e korrupsionit.
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.