Shtetasve shqiptarë, të cilët punojnë dhe jetojnë në Itali, do t’u njihen vitet e punës edhe në Shqipëri në momentin që dalin në pension. Marrëveshja teknike mes Shqipërisë dhe Italisë pritet të miratohet në muajt në vijim nga qeveritë dhe më pas nga parlamentet e të dy vendeve.
Shtetasit shqiptarë, të cilët punojnë dhe jetojnë në Itali, do t’u njihen vitet e punës edhe në Shqipëri në momentin që dalin në pension. Marrëveshja teknike mes Shqipërisë dhe Italisë pritet të miratohet në muajt në vijim nga qeveritë dhe më pas nga parlamentet e të dy vendeve.
Shqipëria dhe Italia kanë arritur dakordësimin e marrëveshjes teknike për njohjen e pensioneve të shtetasve shqiptarë që jetojnë në Itali dhe të shtetasve italianë që jetojnë në Shqipëri.
Qeveria shqiptare i ka nisur përpjekjet për këtë marrëveshje që në vitin 2014.
Delegacionet e dy qeverive zhvilluan bisedimet përgjatë dy ditëve në Tiranë mbi projektmarrëveshjen kuadër për Sigurimet Shoqërore dhe ranë dakord që t’ia paraqesin për miratim qeverive respektive.
Arritja e marrëveshjes teknike mes Shqipërisë dhe Italisë u komunikua në një konferencë të posaçme për shtyp nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj dhe ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci.
Ibrahimaj e konsideroi arritjen e marrëveshjes një sukses për të gjithë shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Itali.
“Kjo marrëveshje tregon për marrëdhëniet e shkëlqyera historike që dy vendet kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë, në të njëjtën linjë edhe me prioritetin e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian”, tha Ibrahimaj.
Arritja e marrëveshjes u përshëndet edhe nga ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci, i cili e konsideroi atë si një tjetër urë bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Italisë.
“Kontributi i shtetasve shqiptarë që jetojnë në Itali është i jashtëzakonshëm, ashtu si dhe i shtetasve italianë që jetojnë në Shqipëri dhe, falë kësaj marrëveshjeje, ky kontribut do të njihet”, tha Bucci./ (28 korrik 2022)
Mbi 700 000 përfitues nga njohja e pensioneve
Bisedimet mes Shqipërisë dhe Italisë për marrëveshjen e arritur kanë nisur vite më parë dhe janë intensifikuar që nga viti 2014. Përfitues nga kjo marrëveshje parashikohet të jenë afërsisht 700 000 mijë shtetas shqiptarë, të cilët jetojnë e punojnë në Itali.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, janë rreth 50 000 ndërmarrje me NIPT italian, që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Shqipëri dhe që paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore, të cilët do të përfitojnë nga kjo marrëveshje.
Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë e Shqipërisë, Olta Manjani kryesoi delegacionin për palën shqiptare, ndërsa pala italiane u kryesua nga Koordinatori i Grupit Negociator, senatori Tommaso Nannicini.
Marrëveshja e dakordësuar bazohet në parimin e trajtimit të barabartë. Ajo mbulon pensionet e pleqërisë, sigurimet për përfitimet për sëmundjet dhe shtatzënitë si edhe sigurimin për papunësinë.
Hartimi i kësaj marrëveshjeje ka qenë një kërkesë e hershme e komunitetit shqiptar që jeton në Itali.
“Kjo është një betejë e fituar që vazhdonte prej vitesh, ndërkohë që qytetarëve u mohohej e drejta e punës dhe e sakrificave. Ata kanë dhënë kontributin e tyre në të dy vendet, që kanë lidhje të forta ekonomike dhe kulturore mes tyre”, tha Nannicini.
Geri Ballo, nismëtare e peticionit, vuri në dukje se komuniteti shqiptar në Itali është komunitet i rëndësishëm për sa i përket shifrave dhe kontributit ekonomik, social dhe kulturor./ (26 korrik 2022)
Shqipëria ka marrëveshje me 11 shtete për njohjen e pensioneve
Marrëveshja me Italinë është e njëmbëdhjeta, pas një sërë marrëveshjesh që Shqipëria ka nënshkruar dhe ratifikuar duke filluar me marrëveshjen me Turqinë, në vitin 2005, dhe duke vijuar me një numër shtetesh të tjera si me Mbretërinë e Belgjikës, Hungarinë, Luksemburgun, Republikën Çeke, Gjermaninë, Austrinë, Kanadanë, Rumaninë, Maqedoninë e Veriut dhe së fundmi me Kosovën.
Duke filluar nga data 1 gusht 2022, nis zbatimi i marrëveshjes për sigurimet shoqërore me Kanadanë, nga e cila përfitojnë rreth 35 000 shtetas shqiptarë.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore po punon intensivisht për të arritur marrëveshje edhe me Greqinë, Kroacinë dhe me vendet e tjera të Bashkimit Evropian./ (25 korrik 2022)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.