Programe të përbashkëta eksporti me eksperiencën italiane

Ministri i Bujqësisë, Sovranitetit Ushqimor dhe Pylltarisë të Republikës së Italisë, Francesco Lollobrigida, zhvilloi të hënën një vizitë pune në Tiranë.

Forcimi i bashkëpunimit sa i takon ekspertizës italiane për bujqësinë shqiptare, rritjen e eksporteve dhe garantimin e tregjeve për produktet e certifikuara të origjinës ishin disa nga temat e trajtuara në takimin me ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca.

Ata janë dakordësuar  për thellimin e bashkëpunimit në fusha të rëndësishme për të dy vendet si mundësia e rritjes së prezencës së produkteve shqiptare në tregun italian, rritja e potencialit të bashkëpunimit për ullirin apo edhe lidhja direkte e pikave të grumbullimit me hipermarketet italiane për fruta dhe perime.

Krifca theksoi se Italia në 30 vitet e fundit ka qenë një prej vitrinave më të rëndësishme në transferimin teknologjik dhe të dijebërjes në pothuaj të gjithë sektorët e ekonomisë së vendit por në mënyrë të veçantë në bujqësi.

Krifca theksoi se bujqësia shqiptare nuk është më një bujqësi e mbijetesës, duke bërë me dije se janë eksportuar fruta-perime 242 mijë tonë me rritje 10.3 % nga 2021.

Ajo nënvizoi se Shqipëria është eksportues i rëndësishëm rajonal i produkteve të freskëta tashmë me më shumë se 500 milionë dollarë eksporte për vitin 2022, duke përmbushur ritmin e rritjes së vendosur si objektiv madhor, atë të 1 miliard dollarë eksporte në vitin 2030.

Në të gjithë vendin është i shpërndarë një rrjet prej më shumë se 400 pika grumbullimi, të cilat drejtojnë produktet tona të freskëta apo të përpunuar në më shumë se 82 destinacione në botë.

Duke u ndalur tek marrëdhëniet tregtare me Italinë, Krifca vuri në dukje se nëse në vitin 2005 ne importonim nga Italia më shumë se 22 kg produkte bujqësore për 1 kg produkte të eksportuara; në vitin 2022, pothuaj njëzet vjet më vonë, ky raport ka rënë në 1 me 4.

Krifca dhe Lollobrigida morën pjesë në takimin me përfaqësues të bizneseve prodhueseve bujqësore dhe dhomave të tregtisë shqiptare me përfaqësitë më të larta të sipërmarrjes italiane, ku vunë theksin në forcimin e bashkëpunimit dhe zgjerimin e tregjeve për eksportet bujqësore./ (27 mars)

Bujqësia, agrobiznesi dhe peshkimi sektorë potencial bashkëpunimi Shqipëri-Itali

Ministri i Bujqësisë, Sovranitetit Ushqimor dhe Pylltarisë të Republikës së Italisë, Francesco Lollobrigida, u shpreh optimist për bashkëpunimin mes dy qeverive, teksa vlerësoi sektorët e bujqësisë, agrobiznesit dhe peshkimin me potencial të madh dhe interes reciprok bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Italisë.

“Me iniciativën e ministres Krifca diskutuam mbi nevojat që ka vendi dhe mundësitë për rritjen e eksporteve dhe për të thelluar bashkëpunimin për të shkëmbyer eksperiencën tonë me sipërmarrjet shqiptare, por edhe për të gjetur rrugët e zhvillimit të bizneseve tona”, tha ministri Lollobrigida.

“Qeveria Meloni mban premtimet”, tha ai, teksa solli në vëmendje takimin e kryeministrit Rama me kryeministren italiane Meloni për forcimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve.

“Cilësia duhet të jetë përgjigja për sigurinë e produkteve ushqimore. Të zhvillojmë produktet italiane, shqiptare dhe italo-shqiptare. Një produkt pëson rritje cilësore dhe vlerë të shtuar nëse ndiqet nga një ekspertizë e caktuar dhe i bashkangjitet markave të njohura dhe me reputacion pozitive”, u shpreh Lollobrigida./ (27 mars)

Shqipëri-Itali, marrëveshje për përmirësimin e rrjetit energjetik

Në Tiranë u nënshkrua të martën marrëveshja e huasë mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane prej 35 milionë eurosh për investime për përmirësimin e rrjetit shpërndarës të energjisë elektrike në zonat Shkodër, Lezhë, Fushë-Krujë.

Marrëveshja u nënshkrua nga  zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe zëvendësministri i Jashtëm italian, Edmondo Cirielli.

Kjo marrëveshje vjen në kuadër të Konferencës së Donatorëve “Bashkë për Shqipërinë“, që bëri bashkë në 2020-ën, partner për të mbështetur Shqipërinë nga tërmeti i nëntorit 2019.

Balluku deklaroi se marrëveshja e nënshkruar kontribuon me investime në një nga sektorët më të rëndësishëm dhe më kritik edhe nën dritën e situatës që preku jo vetëm vendin tonë, por mbarë Evropën në 2022 për shkak të krizës energjetike.

Sipas Ballukut, pavarësisht se dy vitet e fundit ishin të vështira u arrit që krahas mbajtjes së pandryshuar të çmimit të energjisë për abonentët të investoheshin edhe 50 milionë euro në sistem.

Zëvendësministri Cirielli rikonfirmoi mbështetjen e Italisë për anëtarësimin sa më të shpejtë të Shqipërinë në Bashkimin Europian.

Ai deklaroi se Italia ka një marrëdhënie shumë më të thellë se sa thjeshtë partneriteti me Shqipërinë.

“Zhvillimi dhe rritja e Shqipërisë është çështje strategjike për Italinë”, deklaroi Cirielli ndërsa konfirmoi gatishmërinë e qeverisë italiane të drejtuar nga Giorgia Meloni për të mbështetur procesin e integrimit dhe thelluar partneritetin me Shqipërinë.

“Për ne, hyrja në mënyrë të fuqishme dhe me autoritet e Shqipërisë në BE, është një çështje strategjike dhe që e theksojmë nga kjo pikëpamje dhe ndihemi përgjegjës që kjo të ndodhë në një kohë sa më të shpejtë”, është shprehur zv.ministri i Jashtëm italian./ (29 mars)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.