Shqipëria mbështetje shumëpalëshe për Turqinë
Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën vendimin për dhënien e një ndihme financiare prej një milion eurosh për Turqinë, si mbështetje për dëmet e shkaktuara nga tërmetet e forta që goditën këtë vend më 6 shkurt.
Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino bëri të ditur se, krahas ndihmës financiare, Shqipëria dërgoi në Turqi edhe ekipe kërkim–shpëtimi nga Forcat e Armatosura, Emergjencat Civile si edhe ekipe shëndetësore, të cilët kontribuuan përgjatë 11 ditëve në operacionet e kërkim-shpëtimit në zonat e shkatërruara.
“Objektivi kryesor është ardhja në ndihmë dhe sigurimi i mbështetjes shumëpalëshe të Shqipërisë për një vend mik si Turqia. Ndihma financiare është edhe një shenjë reciprociteti ndaj ndihmës së menjëhershme që Turqia i dha Shqipërisë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019”, tha Fino.
Tre skuadrat shqiptare u bënë pjesë e operacioneve të kërkim – shpëtimit pas dy tërmeteve shkatërrimtare në Turqi./ (22 shkurt)
Trupat shqiptare përcillen me duartrokitje
Pas 11 ditësh pune intensive, rreth 85 trupa, në përbërje të të cilëve ishin efektivë të Forcave të Armatosura, të Emergjencave Civile dhe ekipeve shëndetësore janë përcjellë me duartrokitje nga përfaqësues të autoriteteve turke, por edhe qytetarë të thjeshtë, të cilët u shprehën mirënjohjen për kontributin e tyre. Momenti i përcjelljes së trupave shqiptare është transmetuar edhe nga agjencia turke e lajmeve IHA (Ihlas Haber Agency).
Në ceremoninë e përcjelljes ishte e pranishme edhe konsullja shqiptare në Stamboll, Blerta Kadzadej, e cila shprehu falënderimet për punën e palodhur të ekipeve shqiptare.
Koloneli Elton Reso tha se përgjatë këtyre ditëve të kërkim-shpëtimit janë nxjerrë nga ekipet shqiptare 26 persona të bllokuar nën rrënoja, mes të cilëve edhe disa të mbijetuar. Ai kujton si emocionues momentin kur nga rrënojat u nxor një vajzë e vogël. Ekipet shqiptare në koordinim edhe me emergjencat turke, AFAD u vendosën kryesisht në zonën e Malatyas.
Shqipëria iu përgjigj menjëherë thirrjes për ndihmë të Turqisë dhe brenda 24 orëve në zonat e tërmetit mbërriti ekipi i parë i parë shqiptar i shpëtimit. Gjithashtu, në emër të popullit shqiptar, kryeministri i vendit Edi Rama u bë pjesë e fushatës ndërgjegjësuese, duke dhuruar një milion euro në ndihmë të rindërtimit.
Efektivët që u kthyen nga misioni i solidaritetit në zonat e shkatërruara nga tërmeti i 6 Shkurtit në kufirin mes Turqisë dhe Sirisë, u pritën të hënën në një takim të veçantë nga ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralbrigade Arben Kingji.
Peleshi shprehu mirënjohjen, në emër të Ministrisë së Mbrojtjes, qeverisë dhe popullit shqiptar, për punën e bërë nga pjesëtarët e ekipeve që u angazhuan në terren që në momentet e para, pas thirrjes së lëshuar për ndihmë nga autoritetet turke dhe Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile./ (22 shkurt)
Dëshmitë e efektivëve në operacionet e kërkim-shpëtimit
Efektivët që morën pjesë në këto operacione rrëfejnë mes lotësh dhe emocionesh përjetimet dhe punën në terren.
Nëntogere Hygerta Ilnica, pjesë e ekipit shëndetësor të FA-së, u shpreh se, situata në Turqi ishte drithëruese.
“ Duke qenë se unë kam jetuar prej shtatë vitesh në Turqi, sepse kam përfunduar studimet atje, Turqinë e kam parë gjithmonë si një vend mikpritës, të bukur, të gjallëruar, plot jetë. Ajo që pamë ne ishte e kundërta. Pamë ndërtesa të rëna përtokë, njerëz që ishin akoma në gjendje shoku, ishte një pamje shumë drithëruese për të gjithë ne”, tha ajo.
Major Endrit Cengu, komandant i kompanisë të kërkim-shpëtimit, foli po ashtu për operacionin e zhvilluar për shpëtimin e jetëve duke i ndarë skuadrat në tre grupe dhe rezultati në këtë operacion ishte shpëtimi i një fëmije 5 vjeç dhe fatkeqësisht nxjerrja e tre viktimave nga rrënojat.
Nëntogere Aroxhena Mara tha se, ishte një katastrofë e vërtetë, ndërsa njerëzit kërkonin shpresë. “Ishte dëshpëruese që na shikonin në dritë të syrit, sikur ishim shpëtimtarët e vetëm për ta”, tha ajo.
Nëntoger Xhefri Xhafa tha se ekipi i kërkim-shpëtimit ka kryer një detyrë mjaft të vështirë dhe dinjitoze./ (23 shkurt)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.