Ministria shqiptare e Financave udhëhoqi mbledhjen e 15-të të nënkomitetit “Për tregtinë, industrinë, doganat dhe tatimet”, mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian që u zhvillua në Bruksel.
Raportimi i palës shqiptare ndodh në një moment të rëndësishëm pas zhvillimit të Konferencës së Dytë Ndërqeveritare me BE-në, ku u çel grupkapitulli “Themelorët” në tryezën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke përforcuar bashkëpunimin e mëtejshëm në implementimin e reformave të nevojshme për integrimin e Shqipërisë.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli, i cili drejtoi delegacionin shqiptar, u shpreh se Shqipëria ka një kuadër ligjor në shkallë tejet të lartë të përputhur me legjislacionin evropian dhe mbetet thellësisht e angazhuar për përafrimin e plotë me “acquis communitaire” në fushën e doganave.
Përfaqësuesit e Komisionit Europian vlerësuan pozitivisht progresin e Shqipërisë, veçanërisht të Administratës Doganore Shqiptare sa i përket nivelit të përgatitjes ligjore, institucionale e administrative.
Nënkomiteti mbulon raportimin njëvjeçar të palës shqiptare kryesisht për kapitullin 16 “Tatimet”, kapitullin 29 “Bashkimi doganor”, kapitullin 1 “Lëvizja e lirë e mallrave”; dhe kapitullin 20 “Ndërmarrjet dhe politikat industriale”.
Ndër çështjet kryesore të vlerësuara ishin miratimi I draftstrategjisë afatmesme të të ardhurave 2024-2027; masat e ndërmarra në kuadër të Planit të Rritjes; lehtësimi i mëtejshëm i procedurave doganore për operatorët ekonomikë; si edhe ndryshimet ligjore të Kodit Doganor Shqiptar dhe dispozitave zbatuese të tij në kuadër të përafrimit me acquis e BE-së. (25 tetor)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.