Eksportet bujqësore arrijnë në 55,1 miliardë lekë

Gjatë vitit 2022 eksportet bujqësore shqiptare drejt vendeve të rajonit dhe botës arritën në vlerën e 55,1 miliardë lekëve duke shënuar kështu nivelin më të lartë të rritjes.

Sipas statistikave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, krahasuar me një vit më parë, eksportet bujqësore u rritën në sasi me 15,6% gjatë vitit 2022 dhe në vlerë 18,1% më shumë. Përkatësisht eksportet bujqësore nga 360 000 tonë, në vitin 2021, arritën në 416 000 mijë tonë vitin e kaluar. Ndërsa në vlerë u rritën nga 450 milionë dollarë në 500,8 milionë dollarë.

Gjeografia e eksporteve bujqësore shqiptare është shtrirë në 78 shtete, ku në 16 prej tyre pati një dyfishim të tyre. Gjithashtu, eksportet bujqësore shkuan edhe në 10 vende të reja.

Gjatë vitit të kaluar u krijuan ura bashkëpunimi me Francën, Italinë dhe Gjermaninë për eksportin e ullinjve, vajit të ullirit, verës dhe mjaltit.

Produktet më të eksportuara sipas sasisë janë pjeprat dhe shqalqinjtë me 18,4%, domatet me 15,5%, kastravecat me 14%, agrumet me 9,8%, zarzavatet 9,2%, lakrat me 9%, bimët aromatike dhe medicinale me 4,8% dhe mollët e ftonjtë me 3,2%.

Bimët midicinale dhe aromatike kanë shënuar vlerën më të madhe të produkteve të eksportuara me 23,8%./ (16 janar)

Mbështetje për fermerët nga Skema Kombëtare dhe nafta pa taksa

Qeveria shqiptare po zbaton prej dy vitesh skemën mbështetëse të naftës pa taksa për bujqësinë duke lehtësuar buxhetet e fermerëve në punët e bujqësisë.

Në kuadër të Skemës së Mbështetjes me Naftë për bujqësinë, rreth 34 000 fermerë përfituan naftë pa taksa në vlerën 1,95 miliardë lekë.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se kjo skemë u zbatua me sukses edhe gjatë vitit 2022 dhe do të vazhdojë si masë mbështetëse për fermerët edhe këtë vit, si nevojë shumë e madhe duke parë dhe rritjen e çmimit të naftës në tregun botëror.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR) krahas investimeve në vepra vaditëse dhe kullimi, në kushtet e krizës nga lufta në Ukrainë, përmes Skemës Kombëtare ka mbështetur me financim fermerët për uljen e kostove të prodhimit duke alokuar 5,1 miliardë lekë dhe mbështetur drejtpërdrejt mbi 48 000 fermerë, gati dyfishi i fermerëve të mbështetur në 2021.

Gjithashtu, nëpërmjet programit IPARD, vetëm në vitin 2022 janë investuar 19 milionë euro për rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese për bujqësinë shqiptare. 

Ministrja e MBZHR-së, Frida Krifca ka deklaruar se nga program IPARD II me vlerë 94 milionë euro janë kontraktuar 19,4 milionë euro për 226 kontrata në total, ndërsa nga Fondi i Garancisë prej 180 milionë eurosh janë disbursuar 90 milionë euro për 6 250 përfitues dhe vetëm në vitin 2022 janë disbursuar 20 milionë euro./ (13 janar)

Financime për mbi 6 000 blegtorë

Bujqësia mbetet sektori më vital i ekonomisë shqiptare, ku padyshim vend të rëndësishëm zë edhe blegtoria, e cila ka hyrë tashmë në stadin e konsolidimit të fermave me numër të lartë krerësh.

Referuar statistikave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në vitin 2022 u rrit me 20% numri i fermave blegtorale me mbi 200 krerë të imta, krahasuar me vitin 2021.

Në vitin 2022 u shënuan 3 030 ferma blegtorale me mbi 200 krerë të imta, kundrejt 2 528 fermave që ishin në vitin 2021. 

Gjithashtu, gjatë vitit 2022 u rrit me 68% numri i fermave blegtorale të licencuara.

47 ferma të reja blegtorale u regjistruan nga AKVMB në 2022, ndaj 28 fermave të reja që u licencuan në vitin 2021. 

Në mbështetje të këtij sektori, është shtuar nga viti në vit dhe fondi nga buxheti i shtetit për subvencionimin e blegtorëve.

Financimi për blegtorinë nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në bujqësi, për vitin 2022 u rrit në mbi 1,5 miliardë lekë ndaj 1,03 miliardë lekë që ishte në vitin 2021.

6 211 blegtorë, përfituan nga Skema e Mbështetjes, për vitin 2022, kundrejt 4 316 blegtorëve që përfituan në vitin 2021./ (12 janar)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.