Takimi i tretë i Konferencës së anëtarësimit me Shqipërinë në nivel ministror u mbajt sot në Bruksel ku u hap grupkapitulli 6 i negociatave “Marrëdhëniet me Jashtë”.

Delegacioni i Bashkimit Evropian u kryesua nga Péter Szijjártó, ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, në emër të Presidencës hungareze të Këshillit të Bashkimit Evropian, me pjesëmarrjen e Komisioneres për Zgjerim Marta Kos. Delegacioni shqiptar kryesohej nga Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

Në konferencën e përbashkët për mediet, pas konferencës, Kryeministri Edi Rama deklaroi se ambicia e Shqipërisë është mbyllja e negociatave me Bashkimin Europian në vitin 2027 dhe anëtarësimi në BE brenda kësaj dekade. Rama garantoi se Shqipëria do të sigurohet që i ka bërë detyrat.

“Parimi në bazë të meritave për ne është shumë i rëndësishëm se do të na ndihmojë të bëjmë detyrat tona të shtëpisë aq mirë sa të jetë e mundur”, u shpreh Rama. Ai u shpreh se shpejtësia e procesit të negociatave duket e pandalshme.

“Komisionerja Kos ka filluar me këmbën më të mbarë të mundur, sepse nuk ka ende një muaj në mandatin e saj dhe tashmë ka dëshmuar dy hapa të mëdhenj përpara për vendet e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Kryeministri shqiptar.

Ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, Péter Szijjártó deklaroi se, anëtarësimi i Shqipërisë do ta forconte BE-në duke parë edhe progresin ekonomik që ajo ka bërë. Sipas tij, Presidenca Hungareze ka bërë të gjitha përpjekjet për përshpejtimin e procesit të zgjerimit.

“Shqipëria ka treguar progres të shkëlqyer për të 6 kapitujt që do të jenë në këtë grup-kapitull si për marrëdhëniet me jashtë, për sigurinë, ndaj dhe po e hapim këtë grup-kapitull sot në mënyrë që Shqipëria të ecë përpara, pasi Shqipëria është një vend i NATO-s”, u shpreh ai.

Komisionerja për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin Marta Kos uroi në shqip qytetarët e Shqipërisë për përkushtimin dhe përfshirjen e të gjitha palëve politike në vend sa i takon negociatave për integrimin në Bashkimin Europian.

Rrugëtimin e deritanishëm të Shqipërisë, komisionerja e cilësoi si gur kilometrik, ndërsa vlerësoi edhe angazhimin e Hungarisë, si dhe shprehu besimin se edhe presidenca polake të vazhdojë këto përpjekje në të ardhmen.

“Sot në kontekstin ndërkombëtar hapja e negociatave për grupkapitullin 6 mban një veçanti, ka një rëndësi gjeostrategjike dhe përçon një sinjal gjeostrategjik. Është një njohje e qartë e harmonizimit të Shqipërisë me politikat e BE, si një partner i qëndrueshëm dhe i vlefshëm”, u shpreh Kos. (17 dhjetor)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.