Shqipëria prej sot ndodhet edhe një hap më pranë BE-së, me hapjen e grup-kapitullit të Agjendës së Gjelbër dhe Lidhjes së Qëndrueshme.

Grupkapitulli i katërt i negociatave u hap gjatë konferencës së gjashtë ndërqeveritare BE-Shqipëri sot në Bruksel, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri shqiptar Edi Rama.

Me hapjen e grup-kapitullit të Agjendës së Gjelbër, Shqipëria do të forcojë kapacitetin energjetik dhe sistemet e transportit, duke avancuar veprimet për klimën.

Në konferencën e përbashkët në Bruksel, me kryeministrin Edi Rama si dhe ministren e Çështjeve Europiane të Danimarkës Marie Bjerre, komisionerja Evropiane për Zgjerimin Marta Kos tha se shpejtësia e Shqipërisë për integrimin në BE është mbresëlënëse.

Shqipërisë i ka mbetur pa hapur edhe një grup-kapitull i cili sipas saj do të hapet së shpejti.

Sipas komisioneres për Zgjerimin, “ky rezultat vjen si rrjedhojë e punës së madhe të autoriteteve shqiptare që kanë çuar përpara reformat për gjatë shumë viteve dhe sidomos gjatë këtij viti, pavarësisht zgjedhjeve që janë zhvilluar”.

Kos theksoi më tej se reformat kërkojnë ndryshime themelore, por Shqipëria ka treguar se ndryshimi pozitiv është i mundur.

Kryeministri Edi Rama, nga ana e tij, deklaroi sot nga Brukseli se Bashkimi Europian është një perandori vlerash, të drejtash dhe sigurie, pjesë e së cilës Shqipëria duhet të jetë.

“Sot hapëm një tjetër grup-kapitull që në fakt përbëjnë 5 grup-kapituj në 11 muaj. Me sa di unë, ky është një rekord”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se pret me padurim hapjen e grup-kapitullit të fundit para mbylljes së këtij viti. Hapja sot e 4 kapitujve të negociatave, për Ramën “nuk ka të bëjë vetëm me marrjen e një shpërblimi njëherë e përgjithmonë, por me detyra që do të realizohen çdo ditë”.

Katër 4 kapitujt e hapur sot iu u shtohen 24 kapitujve të negociatave për anëtarësim, që janë hapur në vetëm 11 muaj.

Kapitujt përfshijnë: politikat e transportit (Kapitulli 14), energjia (Kapitulli 15), rrjetet trans-europiane (Kapitulli 21), mjedisi dhe klima (Kapitulli 27)”, të cilat prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve dhe janë faktor transformimi për zhvillimin afatgjatë të vendit.

Shqipëria ka çelur deri më tani 5 nga 6 grup-kapituj, të ashtuquajturin “Themeloret”, “Marrëdhëniet me Jashtë”, “Tregun e Brendshëm” si dhe “Konkurrueshmëria dhe Rritja gjithëpërfshirëse”. (16 shtator)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.