Djathi “Mishavinë” etiketohet si Produkt i Mbrojtur i Origjinës

Regjistrimi i parë i kësaj natyre u krye për një produkt të zonë së Kelmendit, 200 kilometra në veriperëndim të Tiranës, që është djathi i quajtur “Mishavinë” që, i etiketuar si Produkt i Mbrojtur i Origjinës merr një vlerë më të madhe në treg.

Në shtator 2021 ky djath u vlerësua me çmim mes djathërave joindustrialë francezë, italianë dhe indianë, në edicionin 13-të të djathit, të zhvilluar në qytetin italiane të Barit.

Në traditën vendase, ky djath është ushqimi i parë që i ofrohet mikut të familjes në shenjë respekti dhe mikpritjeje. Ai është i lidhur me traditën blegtorale të zonës dhe me pozicionin e saj gjeografik duke qenë se ka nevojë për temperatura të ulëta për t’u ruajtur.

Djathi “Mishavinë” përgatitet gjatë vjeshtës duke përdorur djathin e prodhuar nga qershori deri në shtator. Ky djathë copëtohet, kriposet dhe lihet të fermentojë në një enë druri, e cila mbyllet hermetikisht me një shtresë gjalpi të freskët ose të shkrirë duke mundësuar që lëngu i krijuar gjatë këtij procesi të kullojë nga vrimat në fund të enës. Pas gati dy muajsh, djathi është gati. Ai ka ngjyrë të bardhë në të verdhë dhe një përbërje kremoze.

Për të prodhuar një kilogram “Mishavinë” nevojiten 10 litra qumësht lope ose shtatë litra qumësht deleje.

Konsiderohet si një ushqim dimëror që bashkë me mishin e derrit dhe rakinë e kumbullës përbëjnë ushqimin e nevojshëm për t’i mbijetuar motit të ftohtë me temperatura deri në minus 20°C./ (18 gusht 2022)

Markat shqiptare të gështenjave, mjaltit dhe boronicës

Disa prodhime dhe raca të bagëtish, kryesisht në malësitë e Shqipërisë, janë regjistruar më herët si marka tregtare.

Gështenja, mjalti dhe boronica e Tropojës dhe e Malësisë së Madhe, jufkat dhe mollët e Dibrës, keci i Hasit, uji i Korabit dhe i Glinës apo edhe vaji i ullirit i Borshit janë regjistruar si patenta kombëtare.

Drejtoria e Markave dhe e Patentave e Shqipërisë pohon se ka një rritje të aplikimeve për treguesit gjeografikë të produkteve shqiptare, kryesisht nga zonat veriore të Republikës së Shqipërisë.

Markimi si produkte unike i bën ato më të tregtueshme në eksport me çmime më të larta.  Këto produkte tradicionale po mbrohen duke u regjistruar si Produkte të Mbrojtura të Origjinës (EOM). 

Regjistrimi ndikon në rritjen e vlerës së produkteve tradicionale, në gjallërimin e zonave rurale, në ruajtjen e biodiversitetit, të trashëgimisë kulturore dhe gastronomike, sikurse ofron mundësinë e njohjes në tregjet e huaja të produkteve karakteristike shqiptare.

Tregjet ndërkombëtare i kërkojnë dhe i tërheqin këto produkte tradicionale, të cilat janë të certifikuara për cilësinë dhe standardet e tyre.

Shqipëria ka shumë produkte të kësaj natyre, të cilat duhen identifikuar dhe nxitur për t’u certifikuar, pasi regjistrimi kombëtar dhe ai ndërkombëtar ndikojnë në rritjen e vlerës së tyre./ (17 gusht 2022)

Bujqësia mbështetje prej 146 milionë eurosh

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e Shqipërisë, përmes programit IPARD III dhe financimeve nga buxheti i shtetit, ka livruar 146 milionë euro për bujqësinë dhe zhvillimin e zonave rurale në Shqipëri.

IPARD III po financon iniciativa të reja, të cilat ndihmojnë Shqipërinë të përmbushë angazhimin e Deklaratës së Sofjes për Axhendën e Gjelbër në Ballkanin Perëndimor.

Këto masa ndihmojnë që bujqësia, blegtoria, peshkimi, akuakultura dhe zhvillimi rural të mund të zhvillohen në një mënyrë të qendrueshme duke respektuar natyrën nëpërmjet integrimit të masave agromjedisore, mbrojtjes së pyjeve dhe ruajtjes së mjedisit dhe zhvillimit të bujqësisë organike.

Më 8 maj 2019, Republika e Shqipërisë aderoi në Marrëveshjen e Lisbonës për mbrojtjen e emërtimeve të origjinës dhe regjistrimin e tyre ndërkombëtar.

Marrëveshja e Lisbonës mundëson mbrojtjen ndërkombëtare në vende të tjera, përveç vendit të origjinës, të një kategorie të veçantë të treguesve gjeografikë, siç janë emërtimet e origjinës./ (13 gusht 2022)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.