Shqipëria zhvilloi të hënën e 14 prillit konferencën e katërt ndërqeveritare me Bashkimin Evropian në Luksemburg ku çeli grupkapitullin e dytë të negociatave “Tregu i Brendshëm”.
Delegacioni i Bashkimit Evropian u kryesua nga Radosław Sikorski, ministër i Punëve të Jashtme, në emër të Presidencës polake të Këshillit të Bashkimit Evropian, me pjesëmarrjen e Komisioneres për Zgjerim Marta Kos.
Kryeministri Edi Rama kryesoi delegacionin shqiptar në këto bisedime, i përbërë nga ministra, zëvendësministra dhe drejtues të punës për kapituj përkatës.
Komisionerja Kos e cilësoi Shqipërinë histori suksesi sa i takon integrimit, duke nënvizuar se ajo mund të bëhet shembull edhe për vendet e tjera të rajonit ndërsa kërkoi vijimin e reformave me objektiv hapjen e të gjithë grup-kapitujve brenda vitit. Kos e cilësoi objektiv ambicioz por të realizueshëm synimin e Shqipërisë për anëtarësim deri në vitin 2030.
Kryeministri shqiptar Edi Rama shprehu optimizmin për realizimin e objektivit të anëtarësimit në vitin 2030, duke theksuar se vendi nuk ka më kohë për të humbur.
“Ëndrra jonë është të jemi pjesë e këtij unioni në 2030 ndaj plani është që të përmbyllim të gjitha negociatat në 2027, që është kohë shumë e shkurtër dhe na duhet që çdo ditë të punojmë pa reshtur dhe na duhet të kemi më shumë punë për të bërë”, tha Rama.
Ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato e konsideroi një hap tjetër të rëndësishëm për Shqipërinë në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian, hapjen e grup-kapitullit për Tregun e Brendshëm.
Gonzato shtoi se “tani duhet të miratohen dhe zbatohen reformat që lidhen me BE”.
Sipas ambasadorit Gonzato, vijimi i përafrimit me legjislacionin e BE-së e afron Shqipërinë me një Evropë më të bashkuar dhe më të sigurt.
“BE-ja do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në çdo hap të këtij rrugëtimi”, u shpreh ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato. (15 prill)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.
