Ekipi shqiptar në Turqi në frontin e parë të ndihmës dhe shpëtimit

Qeveria shqiptare i është përgjigjur menjëherë thirrjes për ndihmë, pas tërmetit shkatërrimtar të 6 shkurtit në kufirin midis Turqisë dhe Sirisë, që shkaktoi viktima të shumta, të plagosur dhe dëme të konsiderueshme.

Një mision ndihme nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në përbërje të të cilit 53 personel mjekësor, specialistë të kërkim – shpëtimit si dhe shtatë automjete u nisën të hënën drejt Turqisë, për t’iu bashkuar operacionit të kërkim – shpëtimit dhe për të lehtësuar sadopak pasojat e kësaj tragjedie.

Këshilli i Ministrave të Shqipërisë miratoi të mërkurën vendimin për shtimin e numrit të kontingjentit që po shërbejnë në Turqi.

Në konferencën për median, pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha se Shqipëria i është përgjigjur menjëherë situatës së krijuar përmes Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile.

Pelëshi deklaroi se në total janë 73 trupa nga Forcat e Kërkim-Shpëtimit, por edhe nga ato të Njësisë Ushtarake të Shëndetësisë që ndodhen prej ditës së martë në zonat e prekura nga tërmeti.

Ai tha se gjithashtu janë nisur edhe mjete përkatëse dhe tre ambulanca.

Peleshi shtoi se “kemi marrë një falënderim publik nga Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile, ku u anëtarësuam vetëm para pak kohësh”.

Ai theksoi se kontributi i Shqipërisë është modest, por i qenësishëm.

“Rasti e solli që pas anëtarësimit të jepnim dhe jo të merrnim. Jemi në atë mekanizëm edhe për të përfituar nga solidariteti, por edhe për të dhënë kur vjen fjala për të mbështetur edhe vende të tjera. Jemi pranë popullit turk dhe po punojmë të shpëtojmë sa më shumë jetë dhe të zbusim sadopak dhimbjen”, deklaroi ministri.

Peleshi është shprehur se ky është një kontribut që i kthehet Turqisë, e cila e ka ndihmuar Shqipërinë vazhdimisht edhe gjatë tërmetit të 26 nëntorit 2019./ (8 shkurt)

Skuadra shqiptare, në sfidë me motin dhe terrenin, shpëton një 5-vjeçar

Një pjesë e skuadrës shqiptare është vendosur në zonën e Malatya, në Turqi, në kushte tejet të vështira për shkak të rrënojave të ndërtesave të larta, por edhe motit me temperatura të ulëta.

Efektivët e Forcave të Armatosura po punojnë pa pushim për nxjerrjen e të mbijetuarve apo trupave të viktimave.

Gjatë ditës së hënë pjesëtarët e skuadrës shqiptare, në koordinim të plotë me autoritetet vendase dhe ekipet aleate nga Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile kanë ndihmuar në nxjerrjen e tre trupave të pajetë.

Në sfidë me rrënojat, motin e ftohtë e lodhjen, trupat kanë vijuar duke punuar pa ndërprerje duke shpëtuar jetën e një fëmije 5 vjeç dhe duke nxjerrë nga rrënojat gjashtë trupa të pajetë në zonën e Mallatjas, në Turqi.

Fëmija 5 vjeç ishte në gjendje të mirë shëndetësore, pavarësisht orëve të gjata nën rrënoja.

Misioni ka vijuar pa ndërprerje përgjatë gjithë natës dhe ditës së mërkurë. Deri më tani me ndihmën edhe të pjesëtarëve të skuadrës shqiptare të kërkim – shpëtimit janë nxjerrë edhe tre trupa të tjerë.

Pjesëtarët e ekipit tonë shëndetësor kanë asistuar edhe në dhënien e ndihmës shëndetësore për dhjetëra persona të lënduar.

Toger Behar Katuçi, komandanti i grupit komando që merr pjesë në kërkim-shpëtimin e personave të mbetur nën rrënoja shprehet se skuadra ka operuar në disa zona operacionale ku fatkeqësisht ka nxjerrë dy viktima.

“Temperaturat janë shumë të ulta, deri në -6 gradë Celsius dhe aktualisht ndodhemi në qendrën e koordinimit dhe presim për detyra të tjera”, tha ai.

Ekipeve të kërkim-shpëtimit në Turqi, iu bashkuan edhe pesë mjekë të strukturave vullnetare të Mbrojtjes Civile, për të ndihmuar ekipet e kërkim shpëtimit dhe ndihmës mjekësore, të cilët po punojnë ditë e natë për të shpëtuar jetët e njerëzve të ngelur në rrënoja./ (8 shkurt)

BE falënderon Shqipërinë

Agjencia e Mbrojtjes Civile dhe Ndihmës Humanitare të BE-së ka falenderuar Shqipërinë e cila përmes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile iu përgjigj menjëherë thirrjes për ndihmë, pas tërmetit shkatërrimtar në kufirin mes Turqisë dhe Sirisë që shkaktoi viktima të shumta, të plagosur dhe dëme të konsiderueshme.

Edhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, vlerësoi mobilizimin përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, të ekipit shqiptar të kërkim-shpëtimit dhe ndihmës mjekësore në Turqi, pas tërmetit shkatërrimtar.

Delegacioni i BE informoi se, ekipi shqiptar i kërkimit, shpëtimit dhe ndihmës mjekësore me 54 anëtarë, të mobilizuar përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, ndodhet tashmë në terren për të ndihmuar Turqinë pas tërmetit shkatërrimtar.

Delegacioni i Bashkimit Europian theksoi se, “Shqipëria, së bashku me 18 shtete evropiane, u bë menjëherë pjesë e mbështetjes evropiane për të prekurit nga tërmeti. Shembulli më i mirë i solidaritetit evropian”.

Pak ditë më parë, Shqipëria hodhi hapin e fundit për t’u bërë anëtare e plotë e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, duke miratuar në Kuvend marrëveshjen përkatëse./ (9 shkurt)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.